Tifozët e Tottenhamit dhe Manchester Unitedit në pritje të finales së Ligës së Evropës
Tifozët e Tottenhamit dhe Manchester Unitedit u mblodhën në Bilbao, për të mbështetur klubet e tyre përpara finales së UEFA Ligës së Evropës në orën 21:00 në stadiumin "San Mames"

Shkup
Sonte dy klube angleze do të përballen në finalen e UEFA Ligës së Evropës, raporton Anadolu.
Ndeshja që do të përcaktojë kampionin në organizimin e dytë më të madh të nivelit të klubeve në futbollin evropian, do të luhet midis Tottenhamit dhe Manchester Unitedit.
Tifozët e Tottenhamit dhe Manchester Unitedit u mblodhën në Bilbao, për të mbështetur klubet e tyre përpara finales së UEFA Ligës së Evropës që do të fillojë në orën 21:00 në stadiumin "San Mames".
Tifozët mbushën rrugët përreth stadiumit, duke valëvitur flamuj, duke kënduar dhe duke veshur ngjyrat e klubeve të tyre. Fituesi i kësaj kupe, vitin e ardhshëm do të jetë pjesë e ligës më elitare të futbollit evropian, UEFA Ligës së Kampionëve.
Ndeshjen do ta drejtojë arbitri gjerman Felix Zwayer. Robert Kempter dhe Christian Dietz nga Gjermania do të jenë ndihmës arbitra ndërsa italiani Maurizio Mariani do të jetë arbitri i katërt.
Në finale, Tottenhami do të dalë në fushë për titullin e tretë ndërsa Manchester Unitedi për të dytin.
Tottenhami më parë e fitoi titullin në vitet 1972 dhe 1984 ndërsa Manceshter Unitedi në vitin 2017.