Prishtinë (AA) – Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini po qëndron në Bazel, ku të hënën mbrëma është takuar me kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, dr Hassan Moustafa-në, në darkën solemne që njeriu i parë i hendbollit botëror e kishte shtruar për nder të kryetarëve të 20 federatave evropiane, të ftuara në këtë takim, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqen zyrtare të FHK-së.
Ndërkohë, sot, në selinë e IHF-it në Bazel, do të mbahet mbledhja e dytë për zhvillimin e hendbollit dhe zhvillimet emergjente të federatave.
“Federata e Hendbollit e Kosovës ka marr pjesë edhe në takimin e parë, të para dy viteve. Që nga viti 2012 e deri më sot, ne kemi pas benificione të mëdha nga disa projekte per zhvillimin e hendbollit. Dua të përmendi seminaret dhe kurset, ku ligjërues ishte eksperti nga Hungaria, instruktori Shandorka dhe kemi pasur edhe seminar për trajner, ku ligjërues ishte instruktori nga Spanja, Sosa. Gjithashtu,duhet theksuar ndihma e madhe në pajisje për gjyqtarë, si dhe donacionin e topave të cilësisë së lartë, për klubet kosovare” ka thënë përmes telefonit, për Anadolu Agency, sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci.
Në këtë mbledhje, përfaqësuesit e 20 shteteve evropiane që janë duke e zhvilluar hendbollin, në mesin e tyre edhe Kosova, do të raportojnë për punën e bërë nga viti 2012, pra nga mbledhja e parë e deri më sot. Aty do të shqyrtohen dhe vlerësohen rezultatet dhe përfitimet e kurseve për trajnerë dhe refero, pjesëmarrja në garën e Trofeut Challenge të IHF-it, do të bëhet analiza e kurseve të Beach Handball (Hendbollit në rërë), komunikimi ndërmjet Federatave Kombëtare dhe IHF-it dhe theks i veçantë do të ketë, Hendbolli në shkolla.
Sipas sekretarit të FHK-së, Gjinovcit, FHK-ja pret që edhe sivjet të përfitojë projekte të shumta për zhvillimin e hendbollit por rëndësi të madhe, FHK-ja do t’i jep hendbollit në shkolla dhe masivizimit të tij në Kosovë. Kjo do të jetë po ashtu një nga temat me interes të lartë, gjatë bisedës së kryetarit të FHK-së, Eugen Saraçinit me dr.Moustafën, kryetarin e IHF-it.
Gjatë takimit Saraçini - dr.Moustafa, kryetari i FHK-së do t’i falënderohet njeriut të parë të hendbollit botëror për pranimin e hendbollit kosovar në familjen botërore (IHF) me të drejta të plota, bazuar në konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të IHF-it, të mbajtur më 8 korrik në Zagreb, bëhet e ditur në ueb faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Po ashtu, pritet që Saraçini të konsultohet me dr. Moustafan, për lëvizjet dhe veprimet para Kongresit të 12-të të EHF-it i cili do të mbahet më 19 dhe 20 shtator në kryeqytetin e Republikës së Irlandës, në Dublin. Aty pritet që FHK-ja edhe zyrtarisht të anëtarësohet me të drejta të plota, pas votimit që do te ndodh në Kongres.