Sport

Simone Inzaghi largohet nga Interi

"Pas një udhëtimi 4-vjeçar, është koha që unë t'i them lamtumirë këtij klubi. Kam dhënë gjithçka gjatë gjithë këtij udhëtimi", shkroi mes tjerash Inzaghi në letrën lamtumirëse

Barış Seçkin  | 03.06.2025 - Përdıtësım : 05.06.2025
Simone Inzaghi largohet nga Interi

Romë

Klubi italian Interi njoftoi se ka ndarë rrugët me drejtorin teknik Simone Inzaghi, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e klubit thuhet se Inzaghi është një nga drejtorët teknikë që ka luajtur më shumë ndeshje në historinë e Interit.

"Rrugët e klubit dhe Simone Inzaghit po ndahen. Ky ishte vendim i marrë me pëlqim të ndërsjellë në takimin e mbajtur pak minuta më parë. Periudha e Inzaghit si drejtor teknik do të mbahet mend nga tifozët, lojtarët, menaxherët dhe punonjësit si një periudhë e përzier me pasion, profesionalizëm dhe përkushtim të madh. Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në rritjen e listës së sukseseve të Interit dhe do të mbetet përgjithmonë në histori si drejtori teknik që na mundësoi të merrnim yllin tonë të dytë (kampionati i 20-të)", thuhet në njoftim.

Nga faqja e internetit të klubit u publikua gjithashtu edhe letra e lamtumirës së drejtorit teknik Inzaghi.

Në letrën e tij, Inzaghi falënderoi besimin e treguar ndaj tij deri më sot.

"Pas një udhëtimi 4-vjeçar, është koha që unë t'i them lamtumirë këtij klubi. Kam dhënë gjithçka gjatë gjithë këtij udhëtimi. Në një ditë kaq të vështirë si sot, mendoj se është e drejtë të shpreh përsëri këtë ndjenjë mirënjohjeje për takimin që përfundoi pak kohë më parë. Ishim të sinqertë dhe së bashku vendosëm t'i jepnim fund këtij udhëtimi madhështor. Do të doja t'ua kushtoja fjalët e mia të fundit miliona tifozëve 'zikaltër' që më mbështetën, që qanë dhe vuajtën në momente të vështira, që qeshën dhe festuan gjatë 6 fitoreve që përjetuam së bashku: Nuk do t'iu harroj kurrë", thuhet në letrën e tij.

Inzaghi fitoi një kampionat të Serie A, dy Kupa të Italisë, tre Superkupa të Italisë me Interin, të cilin e mori në korrik 2021 dhe përveç këtyre, ai e udhëhoqi ekipin edhe në finalet e Ligës së Kampionëve UEFA në vitet 2023 dhe 2025.

Interi, nën drejtimin e Inzaghit, nuk ka fituar asnjë ligë, kupë apo trofe evropian këtë sezon dhe së fundmi ka humbur 5-0 nga ekipi francez Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve, duke çuar në diskutime rreth të ardhmes së trajnerit me përvojë në klubin "zikaltër".

Mediat italiane ndërkohë raportojnë se Inzaghi do të marrë drejtimin e ekipit të Arabisë Saudite, Al-Hilal.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın