Alma Çekovic
19 Mars 2018•Përditësim: 19 Mars 2018
MADRID (AA) - Cristiano Ronaldo shënoi katër herë, duke kontribuar në fitoren e Realit të Madridit kundër Gironës (6:3), por paralelisht me këtë, ai shënoi edhe hat-trickun e 50-të në karrierë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Njëkohësisht, portugezi i cili po kalon nëpër një formë të shkëlqyer, ka arritur të shënojë në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
Me fitoren e mbrëmshme, e vlefshme për xhiron e 29 të La Ligës spanjole, Real Madridi u ngjit në vendin e tretë të klasifikimit në tabelë, dhe aktualisht para tij ndodhen Atletico Madridi dhe kryesuesi Barcelona, nga e cila ka një mbetje prej 15 pikësh.
Real çeli rezultatin në minutën e 11 me golin e Ronaldos, ndërsa mysafirët barazuan pak më vonë me golin e shënuar nga Christian Stuani, me çka dhe u mbyll pjesa e parë.
Në minutën e 47, Ronaldo shënoi për avantazh, pastaj në minutën e 59 asistoi për një gol të Lucas Vazquez dhe rezultat 3:1. Girona me një gol të Stuanit zbuti epërsinë e Realit 3:2, por në minutën e 64, Ronaldo sërish shkëputi Realin në dy gola diferencë.
Gareth Bale shënoi golin e pestë për Realin ndërsa Juanpe të tretin për Girona. Në minutën e tretë të minutave shtesë, Toni Kross i asistoi Ronaldos për golin e tij të katërt në ndeshje, njëkohësisht të 307-in për klubin nga Madridi me të cilin luan që nga viti 2009.
Fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë këtë sezon ka shënuar 34 gola nga të cilët 22 në La Liga.