Satuk Buğra Kutlugün
08 Qershor 2019•Përditësim: 09 Qershor 2019
Gjiganti spanjoll, Reali i Madridit bëri të ditur se ka transferuar në radhët e veta yllin belg Eden Hazard, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar të klubit thuhet se Real Madridi dhe Chelsea kanë rënë dakord për transferimin e lojtarit 28 vjeçar.
"Lojtari nënshkruan kontratë që e lidh me klubin për pesë sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor të vitit 2024", thuhet në njoftim.
Hazard do të prezantohet para tifozëve të Realit në stadiumin Santiago Bernabeu të enjten më 13 qershor, pasi të kalojë testet mjekësore.
Gjatë shtatë viteve të kaluara në Londër te Chelsea, Hazard regjistroi 352 paraqitje në të cilat shënoi 110 gola, bëri 92 asiste ndërsa ngriti gjashtë trofe.
Në vitrinën e tij ai ka dy tituj të Premier Ligës, dy tituj të Ligës Evropa të UEFA-s, një titull të kupës FA dhe një titull të Kupës së Ligës.