Mutlu Demirtaştan
22 Dhjetor 2022•Përditësim: 22 Dhjetor 2022
Gjendja shëndetësore e futbollistit legjendar brazilian Pele i cili prej më se një viti trajtohet për kancer në zorrën e trashë është përkeqësuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga spitali "Albert Einstein" ku qëndron Pele në qytetin Sao Paulo, thuhet se tek legjenda 82-vjeçare kanceri ka treguar përparim dhe se ka nevojë për më shumë pekujdesje për shkak të shqetësimeve në veshkë dhe zemër.
Vajza e Pele-s, Kely Nascimento në një postim nga media sociale tha se këtë vit Krishtlindjet nuk do të mund t'i kalojnë në shtëpi dhe se mjekët pas një vlerësimi kanë vendosur që qëndrimi në spital do të jetë më mirë.
Pele-s iu hoq tumori nga zorra e trashë në shtator të vitit 2021 dhe që atëherë ka patur trajtim të rregullt. Ishte njoftuar se gjendja shëndetësore e futbollistit legjendar i cili mori mjekim të rregullt dhe u shtrua për kryerjen e kimioterapisë muajin e kaluar, ishte stabile.
Në fillim të këtij muaji u deklarua se Pele nuk është kundërpërgjigjur ndaj kimioterapisë dhe se është vendosur nën kujdesin paliativ. Pele është lojtari më i mirë në historinë e futbollit. Ai është futbollisti i vetëm që ka fituar 3 herë Kupën e Botës (1958, 1962, 1970).