Legjenda e braziliane e futbollit, Pele, ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare, por ai la pas vetes një trashëgimi të pasur dhe arritje të shumta, raporton Anadolu Agency (AA).
I konsideruar si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave dhe madje i etiketuar si "më i madhi" nga FIFA, Pele ishte modeli kryesor i futbollit për brezat e tifozëve dhe lojtarëve që e pasuan atë.
Pele, i cili ndihmoi Brazilin të fitonte tre Kupat e Botës në vitet 1958, 1962 dhe 1970, humbi luftën kundër kancerit. Lajmi për vdekjen e tij u njoftua nga familja e tij.
- Klubet
I lindur si Edson Arantes do Nascimento më 23 tetor 1940, në Tres Coracoes të shtetit brazilian Minas Gerais, Pele ishte djali i futbollistit të klubit Fluminense, Dondinho.
Ai u emërua sipas shpikësit të famshëm amerikan Thomas Edison, por pas një gabimi në certifikatën e tij të lindjes, shkronja "i" iu hoq dhe prindërit e tij vendosën ta quanin "Edson".
Në vitin 1956, Pele iu nënshtrua një prove për klubin profesionist Santos FC dhe i impresionoi trajnerët e tij.
Vetëm një vit më vonë, duke qenë në moshën 16 vjeç, Pele u bë golashënuesi më i mirë në ligë.
Pas Kupës së Botës në vitet 1958 dhe 1962, klube të famshme evropiane, si Real Madrid, Juventus dhe Manchester United, u përpoqën ta transferonin. Interi i Italisë madje arriti të nënshkruante me të në vitin 1958, por marrëveshja u anulua më vonë për shkak të një revolte nga tifozët brazilianë të Santosit.
Në vitin 1961, qeveria braziliane e shpalli Pelen një "thesar zyrtar kombëtar" për të parandaluar transferimin e tij jashtë vendit.
Pele u bë legjendë për Santosin, ku fitoi gjashtë tituj të Serisë A Braziliane (të quajtur Taca Brasil në atë kohë) në vitet 1961-65 dhe 1968, si dhe dy trofe të Copa Libertadores në 1962 dhe 1963.
Ai gjithashtu fitoi dy Kupa Ndërkontinentale me Santosin në 1962 dhe 1963.
Ylli brazilian u largua nga Santosi në vitin 1975 pasi kishte shënuar 618 gola në 636 paraqitje, për t’iu bashkuar klubit amerikan New York Cosmos.
Pele shënoi 66 gola në 107 ndeshje për Cosmos-in dhe fitoi titullin e Ligës së Futbollit të Amerikës së Veriut në 1977 me të.
Më 1 tetor 1977, Pele vari këpucët e tij pas një ndeshjeje miqësore midis dy klubeve për të cilat kishte luajtur, Cosmos dhe Santos.
- Karriera me ekipin kombëtar
Debutimi ndërkombëtar i Peles ishte më 7 korrik 1957, në një lojë kundër Argjentinës, të cilën Brazili e humbi me rezultatin 1-2.
Kur u zhvillua Kupa e Botës FIFA 1958 në Suedi, Pele vuante nga një dëmtim në gju. Por ai u përfshi në skuadrën e Brazilit për Botërorin pavarësisht kësaj, së bashku me këmbënguljen e shokëve të tij për përzgjedhjen e tij.
Në finalen kundër Suedisë nikoqire më 29 qershor 1958, Pele, lojtari më i ri në një ndeshje finale të Kupës së Botës me 17 vjeç e 249 ditë, shënoi dy herë, ndërsa përballja përfundoi me një fitore 5-2 për Brazilin.
Ai u shpall lojtari më i mirë i ri i turneut.
Një vit më vonë, Pele shënoi tetë gola në Kampionatin e Amerikës së Jugut 1959, i njohur tani si Copa America. Pavarësisht se nuk humbi asnjë ndeshje, Brazili u kthye në shtëpi me medalje argjendi.
Në Botërorin e ardhshëm në 1962 në Kili, Pele shënoi dy herë kundër Meksikës në ndeshjen e parë, por u lëndua në ndeshjen tjetër, kundër Çekosllovakisë. Ai ishte jashtë fushës për pjesën tjetër të turneut, por Brazili gjithsesi fitoi, i udhëhequr nga anësori legjendar Garrincha.
Brazili ishte favorit në Kupën e Botës 1966 në Angli, me një skuadër të yjeve që përfshinte Pelen, Garrincha-n, Gerson-in dhe Gilmar-in. Por turneu u kthye në një fatkeqësi për amerikano-jugorët, pasi u eliminuan befasisht që në turin e parë, pas tre ndeshjesh.
Para Kupës së Botës 1970 në Meksikë, Pele nuk ishte i sigurt nëse do të kthehej për të luajtur përsëri për Kombëtaren e Brazilit. Por përfundimisht ai ra dakord dhe shënoi gjashtë gola në ndeshjet kualifikuese.
Pele shënoi golin e 100-të të Brazilit në Botëror në finalen e luajtur kundër Italisë në stadiumin Azteca në Mexico City.
Brazili fitoi ndeshjen 4-1 dhe fitoi trofeun Jules Rimet – ish-Kupa e Botës e emëruar sipas presidentit të FIFA-s Jules Rimet, e zëvendësuar në vitin 1974 – ndërsa Pele fitoi Botërorin e tij të tretë dhe të fundit.
Ai luajti ndeshjen e tij të fundit ndërkombëtare kundër Jugosllavisë më 18 korrik 1971.
Gjatë karrierës së tij të dalluar, Pele shënoi 77 gola në 92 paraqitjet e tij për Brazilin.
Neymar, lojtar aktiv brazilian në moshën 30-vjeçare, ka shënuar 77 gola në 124 ndeshje për kombëtaren e tij për t’u barazuar me Pelen.
- Stili i lojës dhe trashëgimia
Pele ishte sulmues i gjithanshëm dhe mund të dërgonte goditje të sakta dhe të fuqishme me të dyja këmbët.
Aftësia e tij për të shënuar dhe parashikuar lëvizjen e ardhshme të kundërshtarit, kombinuar me vizionin dhe inteligjencën e tij të jashtëzakonshme, e bënë atë një kërcënim të madh për portën kundërshtare.
Pele ishte lojtar ekipor falë aftësisë së tij për ta lidhur lojën me shokët e skuadrës dhe natyrës punëtore.
"Perla e Zezë" ka shënuar numrin më të madh të golave në karrierë, gjithsej 1.283 në 1.363 ndeshje, duke përfshirë ndeshjet miqësore. Megjithatë, në 840 ndeshje zyrtare, ai ka të regjistruar 775 gola.
I mbiquajtur gjithashtu si "O Rei" (Mbreti) pas Kupës së Botës 1958, Pele shpesh llogaritet si lojtari më i mirë në historinë e futbollit.
"Pele ishte i vetmi futbollist që i kapërceu kufijtë e logjikës", kishte thënë një herë për të legjenda holandeze Johan Cruyff.
Ylli hungarez Ferenc Puskas e kishte cilësuar atë si "më shumë se një lojtar".
Kundërshtari i tij në finalen e Kupës së Botës 1958, lojtari suedez Sigvard Parling, ishte shprehur: "Kur Pele shënoi golin e pestë në atë finale, duhet të jem i sinqertë dhe të them se ndjeva dëshirën për ta duartrokitur".
Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Armando Maradona, rivali i tij më i madh në kategorinë e lojtarëve më të mirë, në një rast kishte deklaruar: "Është shumë keq që nuk kishim marrëdhënie miqësore, por ai ishte lojtar i mrekullueshëm".
Në dhjetor të vitit 2000, Pele dhe Maradona ndanë së bashku çmimin e FIFA-s Lojtari i Shekullit.