Fatjon Cuka
28 Gusht 2017•Përditësim: 29 Gusht 2017
TIRANË (AA) - Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Pannucci, në një konferencë për mediat ka folur për listën e lojtarëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare eliminatore për Botërorin "Rusi 2018", konkretisht të datës 2 shtator në Elbasan me Lihtenshtejnin dhe më 5 shtator në Strumicë me Maqedoninë, duke theksuar se synojnë që të fitojnë të dyja ndeshjet, raporton Anadolu Agency (AA).
"Unë mendoj se kam një skuadër të mirë. Po përpiqem të jap idetë e mija. Gjëja më e rëndësishme për mua është që gjithë lojtarët të ndihen mirë dhe të lumtur kur vijnë në ekipin kombëtar, por nuk i lejoj asnjë lojtari të bëjë siç mendon ai. Do të punojmë në atë mënyrë që të kërkojmë dhe përpiqemi të mundim Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë. Të fitojmë të dyja ndeshjet, për të siguruar objektivin e plotë", tha Pannucci në konferencën e mbajtur sot në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Lista zyrtare e futbollistëve të grumbulluar është bërë publike të premten, ku bëjnë pjesë: Entrit Berisha, Thomas Strakosha, Alban Hoxha, Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Mergim Mavraj, Berat Djimisti, Elseid Hysaj, Frederic Veseli, Hysen Memolla, Ivan Balliu, Migjen Basha, Andi Lila, Ledian Memushaj, Burim Kukeli, Eros Grezda, Jahmir Hyka, Odise Roshi, Liridon Latifi, Amir Abrashi, Valon Ahmedi, Azdren Llullaku dhe Armando Sadiku. Ndërkohë trajneri Pannucci, ka konfirmuar se Sokol Cikalleshi nuk do të jetë pjesë e grumbullimit përfundimtar, për dy ndeshjet e radhës.
Christian Panucci mori zyrtarisht detyrën e trajneri të ri të Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, më 19 korrik 2017, pas dorëheqjes së Gianni De Biasit.
Kombëtarja e Shqipërisë me ndeshjet kualifikuese për "Botërorin 2018" të zhvilluara deri tani ndodhet në vendin e tretë në grupin G me nëntë pikë.