Sport

Neymar mund të "ribashkohet" me Messin dhe Suarezin në Inter Miami

"Do të ishte interesante të ringjallja këtë treshe. Jam i lumtur në Al-Hilal. Jam i lumtur në Arabinë Saudite, por kush e di. Futbolli është plot surpriza", tha futbollisti brazilian

Sümeyye Eryılmaz  | 08.01.2025 - Përdıtësım : 09.01.2025
Neymar mund të "ribashkohet" me Messin dhe Suarezin në Inter Miami

Istanbul

Sulmuesi brazilian Neymar ka bërë të ditur se mund të ribashkohet në klubin e futbollit amerikan Inter Milan me ish-bashkëlojtarët e tij të Barcelonës, Lionel Messi dhe Luis Suarez, duke ringjallur treshen ikonike "MSN" që dominoi futbollin evropian për disa sezone, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për CNN, Neymar shprehu dëshirën e tij për t'u bashkuar sërish me ta në fushën e futbollit.

"Natyrisht, të luash sërish me Messin dhe Suarezin do të ishte e pabesueshme. Ata janë miqtë e mi. Ne ende flasim me njëri-tjetrin", theksoi Neymar.

"Do të ishte interesante të ringjallja këtë treshe. Jam i lumtur në Al-Hilal. Jam i lumtur në Arabinë Saudite, por kush e di. Futbolli është plot surpriza", tha ai.

Treshja Messi, Suarez dhe Neymar, të njohur për partneritetin e tyre në sulm, ishin një prani e jashtëzakonshme për tre sezone para transferimit rekord të Neymarit në PSG në vitin 2017.

Messi dhe Suarez qëndruan së bashku edhe për disa sezone të tjera dhe përfundimisht u ndanë, me Suarezin që iu bashkua klubit Atletico Madrid. Por, të dy u ribashkuar në Inter Miami në vitin 2024, ndërsa Neymar vazhdon karrierën e tij në Arabinë Saudite.

Neymar, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Brazilit me 79 gola të shënuar, ka bërë vetëm shtatë paraqitje për klubin Al-Hilal që nga transferimi i tij prej 90 milionë eurosh nga PSG në vitin 2023, pasi lëndimet e mbajtën jashtë fushës për pjesën më të madhe të kohës së tij në klubin saudit.

Kontrata e tij me klubin Al-Hilal përfundon në muajin qershor. 32-vjeçari gjithashtu foli për ambiciet e tij për Kupën e Botës 2026, duke pranuar se kjo do të jetë mundësia e tij e fundit për të luajtur në këtë turne.

"E di se kjo Kupë e Botës do të jetë e fundit, gjuajtja ime e fundit, mundësia ime e fundit dhe do të bëj gjithçka që mundem për të luajtur në të", tha ai.

Me gjashtë raunde të mbetura në kualifikimet e Amerikës së Jugut, Brazili mban vendin e pestë në renditje me 18 pikë.

Kupa e Botës FIFA 2026 do të organizohet në 16 qytete anembanë Kanadasë, Meksikës dhe SHBA-së, duke shënuar herën e parë që ky kampionat bashkë-organizohet nga tre vende.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.