Doga Kirmizioglu
16 Dhjetor 2016•Përditësim: 16 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Futbollisti brazilian i ekipit të Barcelonës, Neymar, ka thënë se ngritja e tij në karrierë është në saje të bashkëfutbollistit Lionel Messi, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për shtypin amerikan, Neymar ka pranuar se në vitin 2013 kur u transferua te Barcelona ka përjetuar rënie dhe ka pasur vështirësi të adaptohet te përfaqësuesit katalanas.
Ylli brazilian është shprehur se në ndeshjet e para nuk kishte mundur të shfaqë performancën e dëshiruar në fushë. “Në fillim përjetova rënie në karrierë. Isha i pikëlluar dhe i dëshpëruar se gjërat nuk shkonin siç duhet. Më ndihmoi Messi dhe ma shpëtoi karrierën”, ka thënë Neymar.
Duke treguar se Mess disa herë ka folur me të, Neymar ka theksuar se “Messi më tha se duhet të vazhdoj përpjekjen në këtë mënyrë, të jem i lumtur dhe të luaj ashtu siç di në fushë. Messi është person për të cilin kam admirim.”
Neymar theksoi se me Messin dhe Luis Suarezin janë bërë treshja më golashënuese në historinë e Barcelonës. “Jemi të lumtur falë kujdesit që kemi ndaj njëri-tjetrit, respektit dhe miqësisë, dhe kjo reflektohet edhe në fushë”, ka komentuar Neymar.
Deri më tani në këtë sezon Messi ka shënuar 22 gola dhe shtatë asistime në 19 ndeshje, Suarez në 20 ndeshje ka shënuar 13 gola dhe shtatë asistime, kurse Nyamar në 17 ndeshje arritur të realizojë gjashtë gola dhe 14 asistime.