Şenhan Bolelli
25 Tetor 2017•Përditësim: 26 Tetor 2017
MADRID (AA) - Atleti spanjoll Ilias Fifa, i cili vitin e kaluar në Kampionatin Evropian të Atletikës në Holandë fitoi medaljen e artë në pesë mijë metra për meshkuj, është arrestuar gjatë një operacioni policor kundër përdorimit të dopingut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia spanjolle sot në orët e mëngjesit ka organizuar operacion në Barcelonë, Valencia dhe Guadalahara në kuadër të hetimeve pas akuzave të parashtruara nga një gjykatë në Barcelonë për përdorim të dopingut.
Agjencitë spanjolle të lajmeve, duke cituar burimet gjyqësore, bëjnë të ditur se deri më tani janë arrestuar tre persona, ndërsa njëri prej tyre është atleti spanjoll Ilias Fifa, i cili është arrestuar në shtëpinë e tij në Barcelonë.
Siç thuhet, hetimi rreth përdorimit të dopingut ka nisur në muajin qershor dhe është zhvilluar në mënyrë shumë të fshehtë.
Ndryshe, Ilias Fifa, i lindur në vitin 1989 në qytetin maroken Tangier, në moshën 16-vjeçare ka hyrë në Spanjë duke u fshehur në një kamion. Pas qëndrimit në Qendrën Strehimore të Migrantëve, Fifa kishte shkuar në Barcelonë, ku kishte filluar të merret me atletikë. Pas marrjes së shtetësisë spanjolle në korrik të vitit 2015, ai refuzoi ofertat e Federatës së Atletikës së Marokut, duke vendosur të garojë në garat ndërkombëtare për Spanjën.
Aktualisht, 28-vjeçari Fifa ka kontratë me Klubin e Barcelonës.