Can Erözden
18 Janar 2023•Përditësim: 20 Janar 2023
Biznesmeni italian Gianluca Ferrero është emëruar zyrtarisht president i Juventusit, njoftoi klubi i futbollit i Serisë A të Italisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Pas mbledhjes së aksionarëve, Juventus mbajti një mbledhje të Bordit të Drejtorëve, i cili, ndër të tjera, emëroi Gianluca Ferrero-n si President dhe Maurizio Scanavino-n (i cili sot pushoi së shërbyeri si Drejtor i Përgjithshëm) si Drejtor Ekzekutiv”, thuhet në një deklaratë të Juventusit.
Juventus gjithashtu emëroi bordin e ri të drejtorëve.
Ferrero, Fioranna Vittoria Negri, Maurizio Scanavino, Diego Pistone dhe Laura Cappiello janë emëruar si drejtorë të rinj, ndërsa bordi i ri “do të qëndrojë në detyrë deri në datën e Mbledhjes së Aksionarëve të caktuar për miratimin e pasqyrave financiare më 30 qershor 2025.
Më 28 nëntor 2022, i gjithë bordi i Juventusit, përfshirë ish-presidentin e klubit torinez, Andrea Agnelli, dhe nënpresidentin Pavel Nedved, dhanë dorëheqjen për shkak të akuzave për kontabilitet të rremë.
Pas eksodit masiv, Ferrero, 60 vjeç, u emërua udhëheqës i ri nga Exor, kompania që zotëron shumicën e aksioneve të klubit.
Gjatë sezonit 2021-2022, Juventus shënoi humbje prej 254,3 milionë eurosh, humbja më e madhe e regjistruar në historinë e Serisë A italiane.
Nën mandatin e Agnellit (2010-2022), Juventus fitoi nëntë tituj radhazi të Serisë A italiane deri në sezonin 2019-2020.