Dejan Maksimoviç
13 Dhjetor 2019•Përditësim: 16 Dhjetor 2019
Steven Gerrard nënshkroi vazdhimin e kontratës për dy vite tjera me Glasgow Rangers. Me këtë ai do të jetë trajneri i "policëve" deri në verën e vitit 2024, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ish-kapiteni i Liverpoolit dhe i përfaqësueses angleze, Gerrard ka bërë një punë të shkëlqyeshme në Skoci që nga ardhja e tij në Ibrox në verën e vitit 2018.
"Jam i lumtur që arrita të vazhdoj qëndrimin tim në këtë klub fantastik të futbollit. Kur presidenti Dave King më përmendi mundësinë e zgjatjes së kontratës me Rangers, ky ishte një vendim shumë i thjeshtë që bëra sepse jam shumë i lumtur këtu dhe ndiej se së bashku ne po ndërtojmë diçka të veçantë në klub", tha Gerrarad duke shtuar:
"Do të doja të falënderoja Bordin e Drejtorëve për mbështetjen që më dhanë gjatë qëndrimit tim të deritanishëm në klub dhe më e rëndësishmja, tifozët e Rangersit që më kanë mirëpritur mua dhe ekipin dhe na kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme si këtë ashtu edhe sezonin e kaluar", tha 39-vjeçari Gerrard pas nënshkrimit të kontratës.
Ai pati një karrierë të ngjeshur si lojtar, gjatë së cilës luajti në Liverpool dhe vetëm një vitë e gjysëm luajti në LA Galaxy. Për "redsat" ai luajti 710 ndeshje me 186 gola të shënuar. Në fanellën e përfaqësueses së Anglisë luajti 114 ndeshje me 21 gola. Karrierën si trajner e filloi në shkollën e kadetëve në Liverpool ndërsa ekipi i parë i tij është Glasgow Rangers të cilin e drejton nga viti 2018.