Can Erözden
01 qershor 2022•Përditësim: 01 qershor 2022
Ylli uellsian i Real Madridit, Gareth Bale konfirmoi sot largimin e tij nga gjiganti i futbollit spanjoll në verën e vitit 2022 si lojtar i lirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Erdha këtu 9 vjet më parë si një djalë i ri me dëshirën për të realizuar ëndrrën time që të luaj për Real Madridin", tha Bale.
"Duke veshur fanellën e bardhë të pacenuar, duke mbajtur emblemën në gjoks, duke luajtur në Santiago Bernabeu, duke fituar tituj dhe duke qenë pjesë e asaj për të cilën është kaq e famshme, të fitosh Ligën e Kampionëve”, theksoi Bale në një letër që postoi në Twitter.
Uellsiani deklaroi se ishte i lumtur dhe i nderuar që luajti për "bardhezinjtë" dhe se kjo ishte një përvojë unike në karrierën e tij.
“Të jesh pjesë e historisë së këtij klubi dhe të arrish atë që arritëm ndërsa isha lojtar i Real Madridit, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe që nuk do ta harroj kurrë”, tha ai.
Përveç kësaj, Bale, 32-vjeç, falënderoi presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, drejtorin ekzekutiv Jose Angel Sanchez dhe bordin që i dhanë mundësinë të jetë lojtar i Real Madridit, shokët e tij si dhe tifozët e klubit për mbështetjen e tyre.
"Së bashku kemi mundur të krijojmë disa momente që do të jetojnë përgjithmonë në historinë e këtij klubi dhe futbollit. Ka qenë një nder. Faleminderit! HALA MADRID! Gareth Bale", tha më tej ai.
Në vitin 2013, Real Madridi nënshkroi kontratë me Balen duke e sjellë nga klubi anglez Tottenham Hotspur për 101 milionë euro (133 milionë dollarë), që ishte një çmim rekord botëror në atë kohë.
Bale shënoi 106 gola në 258 paraqitje për Real Madridin.
Ai ishte në huazim për një sezon në Tottenham në 2020-21 dhe më pas u kthye në klubin spanjoll për sezonin 2021-22.
Këtë sezon, Bale ishte tronditur nga disa lëndime dhe COVID-19 ndërsa luajti shtatë ndeshje dhe shënoi një gol.
Kontrata e tij me Real Madridin skadon më 30 qershor.
Bale fitoi pesë tituj të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, katër trofe të Kupës së Botës për Klube FIFA, tre La Liga spanjolle dhe tre Superkupa të UEFA-së me Real Madridin.
Për më tepër, Bale ka qenë lojtar i kombëtares së Uellsit për një kohë të gjatë që ka realizuar 102 ndeshje ndërkombëtare dhe ka shënuar 38 gola për kombëtaren e tij.
Ai luajti për ekipin kombëtar të Uellsit në UEFA EURO 2016 dhe 2020.
Në Kampionatin Evropian të futbollit 2016, Bale udhëhoqi Uellsin dhe arriti në gjysmëfinale.