Elvır Hodzıc
28 Mars 2022•Përditësim: 28 Mars 2022
Kampioni aktual botëror Max Verstappen ka fituar garën emocionuese të Formula 1 që u mbajt për Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).
Në pistën Corniche në Xheda u zhvillua gara e dytë e sezonit të Formula 1, e cila njihet si ndër më interesantet në kalendarin e kampionatit botëror, gjë që u vërtetua edhe nga ngjarjet e kësaj fundjave.

Sergio Perez (RB Racing), Charles Leclerc (Ferrari), Carlos Sainz (Ferrari) dhe Max Verstappen (RB Racing) nisën nga dy rreshtat e parë. Perez nisi mirë për herë të parë në karrierën e tij nga "pole position", kurse kampioni aktual i botës Verstappen arriti menjëherë të kalojë Sainzin.
Perez humbi epërsinë pas hyrjes së parë në boks për të ndërruar gomat dhe rivalët përfituan nga ndalesa e sigurisë në xhiron e radhës për shkak të një aksidenti që pati Nicholas Latifi në pistë.
Në dhjetë xhirot e fundit të garës u zhvillua një luftë përplot emocione midis Leclerc dhe Verstappen, të cilët në disa raste ndryshuan pozicionet.

Pas 50 xhirosh dhe 308,5 kilometrash, Verstappen kaloi vijën e finishit si fitues, duke lënë në vendin e dytë fituesin e garës në Bahrein, Leclerc.
Sainz arriti i treti dhe Perez ishte i katërti.
Gara në Arabinë Saudite u shënua edhe me mungesën e Mick Schumacher-it për shkak të një aksidenti që pati në garën kualifikuese, ndaj skuadra e tij nuk donte të rrezikonte.

Më pak se pesë minuta para përfundimit të pjesës së dytë të kualifikimeve, Schumacher humbi kontrollin e makinës së tij Haas, duke kaluar bordurën dhe duke u përplasur në mur pranë pistës. Makina u shkatërrua dhe pas ekzaminimeve mjekësore në spital u konstatua se Schumacher nuk ishte lënduar rëndë.
Gara e radhës e Formula 1 do të zhvillohet më 10 prill në pistën Albert Park në Melburn për Çmimin e Madh të Australisë.