Can Erözden
04 Maj 2021•Përditësim: 04 Maj 2021
Federata Angleze e Futbollit (FA) njoftoi se ka filluar zyrtarisht hetimet ndaj gjashtë klubeve angleze për përfshirjen e tyre në Superligën Evropiane, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Javën e kaluar, ne filluam një hetim zyrtar mbi formimin e Superligës Evropiane dhe përfshirjen e gjashtë klubeve angleze. Ne u kemi shkruar të gjithë klubeve për të kërkuar zyrtarisht të gjitha informacionet dhe provat përkatëse në lidhje me pjesëmarrjen e tyre", thuhet në deklaratën e FA-së.
Më 19 prill, 12 klube evropiane të futbollit, përfshirë klubet angleze, Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham Hotspur, në një deklaratë të përbashkët u shprehën se kishin vendosur të krijonin Superligën Evropiane.
Bëhet fjalë për një garë alternative në mes të javës, e cila nuk u njoh nga FIFA dhe UEFA, si dhe federatat e kombëtareve anëtare.
FA gjithashtu tha se do të ndërmerren hapat e nevojshëm pasi të kenë informacionet që kanë kërkuar.
"Gjatë kësaj periudhe, ne (FA) kemi qenë në diskutime të vazhdueshme me qeverinë (e Britanisë), Premier Ligën dhe UEFA-n. Në veçanti, ne kemi diskutuar legjislacionin me qeverinë që do të na lejojë të parandalojmë çdo kërcënim të ngjashëm në të ardhmen në mënyrë që të mund të mbrojmë piramidën angleze të futbollit", shtohet më tej.
Klubet ishin nën presion të lartë pasi shpallën themelimin e Superligës së shkëputur. UEFA, FIFA dhe federatat e tjera të futbollit, si dhe tifozët e futbollit dënuan iniciativën e tyre.
Projekti i Superligës Evropiane u shemb pasi gjashtë klube angleze, klubet italiane AC Milan dhe Inter Milan dhe klubi spanjoll Atletico Madrid u tërhoqën nga projekti.
Megjithatë, ish-kampionët e Ligës së Kampionëve të UEFA-s Barcelona dhe Real Madrid ende favorizojnë ligën e shkëputur.