Doğa Kırmızıoğlu
02 shtator 2021•Përditësim: 02 shtator 2021
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) njoftoi se "EURO 2020" ishte Kampionati më i ndjekur Evropian i Futbollit në kanalet televizive dhe rrjetet sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e UEFA-s thuhet se edhe pse nën hijen e pandemisë globale, është shënuar rritje rekorde e ndjekshmërisë së "EURO 2020" në mediat dixhitale.
Sipas kësaj, turneu është transmetuar nga 137 kanale në 229 rajone, duke thyer rekord si Kampionati më i shikuar Evropian i Futbollit me një shikueshmëri prej 5.23 miliardë. "EURO 2020" në rrjetet sociale u shikua 7.5 miliardë herë duke lënë pas kampionatet e mëparshme.
Ndeshja finale mes Italisë dhe Anglisë u shikua nga 328 milionë spektatorë dhe e tejkaloi shikueshmërinë e kampionatit të vitit 2016. Ndeshja në fjalë gjithashtu theu rekordin e programit televiziv më të shikuar në 24 vitet e fundit në Angli si dhe në Itali që nga viti 2012.
"Këto shifra fenomenale të audiencës televizive treguan se ndaj turneut nuk tregoi interesim vetëm Evropa, por edhe e gjithë bota. Në veçanti, pati një rritje të konsiderueshme të numrit të spektatorëve të turneut në vendet e Amerikës së Veriut dhe Azisë. Mesatarja e shikuesve që ndoqën çdo ndeshje në turne kaloi 100 milionë. Në Kinë, pati një rritje prej 43 për qind në numrin e spektatorëve në krahasim me turneun e mëparshëm", tha drejtori i marketingut të UEFA-s, Guy-Laurent Epstein.