Elvır Hodzıc
19 Maj 2022•Përditësim: 19 Maj 2022
Lojtarët e Eintracht Frankfurt fituan këtë vit UEFA Ligën e Evropës pas gjuajtjeve të penalltive në finale kundër Glasgow Rangers, raporton Anadolu Agency (AA).
Klubi gjerman Eintracht Frankfurt dhe klubi skocez Glasgow Rangers luajtën në finalen e zhvilluar mbrëmë në stadiumin Ramon Sanchez-Pizjuan në Seville të Spanjës.
Pjesa e parë kaloi pa mundësi të konsiderueshme dhe të dyja skuadrat u kujdesën më shumë për mbrojtjen.
Rangers kaloi në avantazh në minutën e 57-të të ndeshjes. Shënues ishte Joe Aribo i cili bëri një punë të shkëlqyer pas një gabimi të madh të mbrojtjes së Eintracht.
Golin për Eintracht dhe barazimin e rezultatit në 1:1 e shënoi në minutën e 69-të të ndeshjes Rafael Borre.
Nuk pati asnjë ndryshim të rezultatit deri në fund, kështu që lufta për trofeun vazhdoi në kohën shtesë në të cilën Rangers kishte më shumë raste për të shënuar, por portieri i Eintracht Frankfurt, Kevin Trapp, i ndali të gjitha ato përpjekje.
Fituesi i sivjetmë i UEFA Ligës së Evropës u vendos pas penalltive, ku më të suksesshëm ishin lojtarët e klubit gjerman me rezultat 5:4. Momenti kyç i penalltive ndodhi në serinë e katërt kur portieri Trapp mbrojti goditjen e Aaron Ramsey.
Eintracht fitoi trofeun e fundit evropian në vitin 1980 kur ata ishin kampionë të Kupës UEFA.