BARCELONË (AA) - Presidenti aktual i klubit futbollistik Barcelona, Josep Maria Bartomeu mbrëmë u rizgjodh për kreun e klubit të famshëm katalan, raporton Anadolu Agency (AA).
"Jam shumë i lumtur, dita e zgjedhjes ishte perfekte", ka thënë presidenti aktual i Barcelonës Bartomeu, i cili sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve fitoi 54,63 përqind të votave, ndërsa kundërshtari i tij i ashpër Laporta me 33,03 përqind pranoi humbjen.
"Duhet të pranojmë rezultatin. Tani do ta përcjelli Barcelonën si tifoz", ka deklaruar Laporta.
Kandidatët Augusti Benedito dhe Freix kanë fituar 7,16, përkatësisht 3,7 përqind të votave.
Në atmosferën festive 109.637 anëtarë të shoqatës sportive të Barcelonës të shtunën kanë zgjedhur presidentin e ri i cili do ta udhëheqë klubin në gjashtë vitet e ardhshme.
Vendet e votimit në stadiumin “Camp Nou” ishin të hapura nga ora nëntë e mëngjesit.
Barcelona është një nga klubet e rralla të mëdha presidentët e të cilit janë anëtarët e saj. Kjo është hera e dymbëdhjetë që anëtarët e zgjedhin presidentin e klubit.
Gjatë fushatës presidenciale katër kandidatë kanë patur paraqitje të ashpra duke tentuar për të bindur votuesit se pikërisht ata janë zgjedhja e duhur. Në axhendë ishin përforcimet, shkolla e futbollit, pavarësia e Katalonias, transfertat problematike, dënimet e tjera.