Muhammed Enes Çallı
05 Gusht 2021•Përditësim: 06 Gusht 2021
Barcelona konfirmoi zyrtarisht largimin e yllit argjentinas Lionel Messi për shkak të çështjeve “financiare dhe strukturore”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bisedimet mbi një marrëveshje të re mes ish-kapitenit të skuadrës dhe Barcelonës u ndërprenë pasi kontrata e Messit përfundoi në qershor.
“Pavarësisht se klubi dhe lojtari arritën marrëveshje dhe qëllimin e tyre të qartë për të nënshkruar një kontratë të re sot, kjo nuk mund të ndodhë për shkak të pengesave financiare dhe strukturore”, tha klubi i La Ligës në një deklaratë.
“Si rezultat i kësaj situate, Messi nuk do të qëndrojë në FC Barcelona. Të dyja palët ndiejnë keqardhje të thellë që dëshira e lojtarit dhe klubit përfundimisht nuk do të përmbushet”, shtoi FC Barcelona.
Barcelona gjithashtu shprehu mirënjohje për Messin për kontributin e tij në klub dhe i uroi atij më të mirat në karrierën e tij të ardhshme.
Pasi kaloi gjithë karrierën e tij futbollistike në Barcelonë që nga viti 2004, sulmuesi 34-vjeçar udhëhoqi klubin spanjoll për të fituar dhjetë tituj të La Ligës dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve të UEFA-s.
Fituesi i gjashtëfishtë i Topit të Artë gjithashtu fitoi shtatë Kupa të Mbretit, tri Kupa Botërore të Klubeve të FIFA-s dhe tri Superkupa të UEFA-s.