Fatjon Cuka
21 Gusht 2022•Përditësim: 23 Gusht 2022
Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur kampione e Evropës në 3.000 metra me pengesa, në garën në Kampionatin Evropian të Atletikës në Gjermani, transmeton Anadolu Agency(AA).
Sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Gega dominoi garën dhe arriti të fitonte me kohën 9:11.31, duke marrë medaljen e artë dhe “ngjitur Shqipërinë në majën e Evropës”.
Në lidhje me medaljen e sportistes shqiptare ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkruan: "E paepura Luiza Gega kampione e Evropës në 3.000 metra me pengesa. Askush më parë s'ia ka dalë të ngjisë majën e Evropës me flamurin kuqezi në pistën e atletikës”.
Mesazhe urimi për atleten Gega kanë përcjellë edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.