Can Erözden
21 Gusht 2022•Përditësim: 22 Gusht 2022
Kampioni botëror i boksit në peshën e rëndë, Oleksandr Usyk, ruajti titujt e tij të shtunën me vendim të ndarë të jurisë në një rindeshje kundër Anthony Joshua-s, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas 12 raundeve në qytetin Xhide të Arabisë Saudite, boksieri ukrainas Usyk, 35 vjeç, mundi 32-vjeçarin Joshua nga Britania 113-115, 115-113 dhe 116-112.
I mbiquajtur “Macja”, Usyk ruajti titujt e tij të peshave të rënda tbë Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBF), Organizatës Ndërkombëtare të Boksit (IBO), Shoqatës Botërore të Boksit (WBA) dhe Organizatës Botërore të Boksit (WBO).
Joshua humbi durimin pasi Usyk fitoi ndeshjen dhe hodhi rripat për të protestuar ndaj vendimit.
Usyk, i cili ka rezultat 20-0 me 13 fitore me nokaut, më parë mundi Joshua-n me vendim unanim në stadiumin e Tottenham Hotspur-it në Londër në shtator 2021.
“Unë ia kushtoj këtë fitore familjes sime, vendit tim, ekipit tim, të gjithë ushtarakëve që mbrojnë këtë vend (Ukrainën). Faleminderit shumë”, tha Usyk pas ndeshjes.
Në ring, Usyk dhe Joshua mbajtën një flamur të madh të Ukrainës për të treguar solidaritet me vendin e goditur nga lufta.
Usyk më parë iu bashkua ushtrisë ukrainase në vazhdën e luftës së vendit të tij me Rusinë.
Por ai u largua nga Ukraina për t’u përgatitur për revanshin e tij kundër Joshua-s, i cili u vonua për shkak të shërbimit ushtarak të Usyk-ut.