Fatjon Cuka
07 Shkurt 2018•Përditësim: 08 Shkurt 2018
TIRANË (AA) - Armand Duka është rizgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për një mandat tjetër katërvjeçar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga votimi në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së mbajtur në Durrës, në raundin e dytë Duka ka siguruar 38 vota të delegatëve, duke fituar mandatin e pestë si president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kandidati tjetër, ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti Bashkim Fino ka marrë 24 vota, ndërsa kandidati Shpëtim Hala asnjë votë që në raundin e parë.
Në raundin e parë të votimit, asnjë nga kandidatët nuk siguroi votat e mjaftueshme, ndërsa fituesi u caktua në raundin e dytë. Nga votimi tre vota ishin të pavlefshme.
Pjesë e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së ishin edhe përfaqësues të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA).
Duka e mban postin e kreut të FSHF-së që nga viti 2002 dhe është rizgjedhur në të gjithat garat zgjedhore për këtë post të mbajtura gjatë 16 viteve të fundit.