Yeşim Sert Karaaslan
04 Dhjetor 2015•Përditësim: 04 Dhjetor 2015
ANKARA (AA) - Në botë çdo ditë vdesin 800 gra shtatzëna, ndërsa 507 prej tyre janë nga zonat e përfshira nga lufta të cilat nuk kanë trajtim adekuat mjekësor, thuhet në raportin e ri të OKB-së "Gjendja e popullsisë në botë 2015", raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Fondit të Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë (UNFPA) për Turqinë Karl Kullesa, në një deklaratë për AA lidhur me raportin e publikuar dje, tha se ndihma humanitare në zonat e prekura nga lufta është e rëndësisë së madhe, dhe se ajo nuk është e bazuar vetëm në ujë, ushqim, medikamente dhe veshje.
Sipas tij, ofrimi i shërbimeve shëndetësore në kuadër të ndihmës humanitare janë poashtu të rëndësisë së madhe.
"Në dorëzimin e ndihmës humanitare shpesh harrohen edhe nevojat shëndetësore të grave dhe fëmijëve. Raporti tregon se veçanërisht gratë dhe vajzat, për shkak të përkrahjes joadekuate shëndetësore për mbrojtjen kundër HIV-it apo të shfrytëzimit të shërbimeve të mamive, humbin jetën", ka thënë Kullesa.
Ai vuri në dukje se sot në botë, 100 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmën humanitare, dhe se 26 milionë nga kjo shifër janë gratë e moshës riprodhuese.
"Për shkak të ndihmës joadekuate shëndetësore, tre deri në pesë nëna që vdesin janë ato në zonat e prekura nga lufta. Qëllimi ynë është gjithsesi të reduktojmë këtë numër", ka thënë Kullesa, duke shtuar se ky problem është i pranishëm në gjithë botën.
"Në botë sot në bazë ditore vdesin rreth 800 gra gjatë shtatzanisë apo lindjes, për shkak të përkrahjes joadekuate shëndetësore. Në mesin e tyre, 507 janë gratë nga zonat e luftës. Shkaku themelor i këtij problemi është rënia e infrastrukturës në kujdesin shëndetësor", theksoi Kullesa.