Studim: Marrja e përditshme e multivitaminave mund të ngadalësojë plakjen biologjike
Mostrat e gjakut të marra nga pjesëmarrësit u analizuan në tre periudha të ndryshme: në fillim të pjesëmarrjes në studim, në muajin e 12-të dhe në muajin e 24-t
Ankara
Një studim i kryer në SHBA ka zbuluar se marrja e përditshme e suplementit të multivitaminave mund të ngadalësojë disa tregues të plakjes biologjike, transmeton Anadolu.
Në studimin e kryer nga studiues të "Mass General Brigham" me qendër në Boston, që bashkon shumë spitale të mëdha dhe qendra kërkimore, si dhe Universitetit të Harvardit, u analizuan mostrat e gjakut të 958 personave të shëndetshëm me moshë mesatare 70-vjeç.
Mostrat e gjakut të marra nga pjesëmarrësit u analizuan në tre periudha të ndryshme: në fillim të pjesëmarrjes në studim, në muajin e 12-të dhe në muajin e 24-t.
Shkencëtarët përdorën 5 tregues të ndryshëm biologjikë, të cilët matin ndryshimet molekulare të lidhura me plakjen dhe njihen si metilimi i ADN-së në mostrat e gjakut, për të llogaritur moshën biologjike të pjesëmarrësve.
Si rezultat i analizave, u konstatua se përdorimi i përditshëm i multivitaminave ngadalësoi në mënyrë domethënëse shenjat e plakjes në dy nga këta 5 tregues biologjikë.
Studimi zbuloi se tek të rriturit e moshuar që përdorën multivitamina çdo ditë për 2 vjet, plakja biologjike përparoi mesatarisht 4 muaj më ngadalë krahasuar me ata që nuk morën suplemente.
Në studim u theksua se ky efekt ishte më i theksuar tek personat, mosha biologjike e të cilëve ishte më e lartë se mosha kronologjike dhe që shfaqnin shenja të plakjes së përshpejtuar, ndërsa u theksua gjithashtu se këta tregues biologjikë përfshihen ndër shenjat që lidhen me rrezikun e vdekjes.
Njëri nga bashkautorët e studimit, Howard Sesso, theksoi se qëllimi i këtyre lloj studimeve nuk është vetëm që njerëzit të jetojnë më gjatë, por edhe të kenë një jetë më të shëndetshme.
Rezultatet e studimit u publikuan në revistën "Nature Medicine".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
