Admir Fazlagikj
20 Tetor 2017•Përditësim: 21 Tetor 2017
SHKUP (АА) – Instituti për Shëndet Publik i Republikës së Maqedonisë njoftoi se tre raste të reja të fruthit janë regjistruar gjatë javës së kaluar në vend, ku numri i përgjithshëm i të sëmurëve është 17, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Nga numri i përgjithshëm i të sëmurëve, 10 persona jetojnë në lagjen Maxhari, dy persona janë nga Çairi, ndërsa nga një person është regjistruar në fshatin Sopishtë, lagjen Shuto Orizare dhe fshatin Kondovë. Njëri nga fëmijët e paraqitur është shtetas i Kosovës. Një person është me vendbanim në Prilep, me punë të përkohshme në Shkup”, njoftoi instituti në fjalë.
Siç theksohet se njoftim, nga të sëmurët, dy raste janë të moshës prej një vjeç, kur nuk iu nënshtrohen vaksinimit të domosdoshëm kundër fruthit. Shtatë të sëmurë janë të moshës prej një deri në katër vjeç, ndërsa tre janë të moshës mbi 30 vjeç (një person i grupmoshës prej 30-39 vjeç dhe dy person prej 40-49 vjeç). Të moshës prej pesë deri në nëntë vjeç ka dy persona dhe një person i takon grupmoshës prej 10-14 vjeç, 15-19 vjeç dhe 20-29 vjeç.
Nga 17 rastet e regjistruar, 16 janë të vërtetuara në mënyrë laboratorike, ndërsa njëri është një rast i lidhur klinik dhe epidemiologjik.
Ndryshe, prej 25 shtatorit deri më 13 tetor në territorin e Republikës së Maqedonisë janë vaksinuar 8.095 persona me MRP vaksinë, prej tyre 2.552 me dozë të parë, ndërsa 5.450 me dozë të dytë tek fëmijët shkollorë, theksohet në raportin e Institutin për Shëndet Publik.
Në Kosovë janë regjistruar 163 raste të fruthit
Instituti Nacional për Shëndet publik i Kosovës njoftoi se në Kosovë janë paraqitur gjithsej 163 raste të infeksionit të fruthit mes të cilave janë fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar, ndërsa në fillim të muajit shtatorit të këtij viti, janë paraqitur 44 raste.