Dejan Maksimoviç
20 Nëntor 2015•Përditësim: 20 Nëntor 2015
AMSTERDAM (AA) – Legjenda e futbollit holandez dhe evropian, Johan Cruyff (68 vjeç) ka deklaruar se do ta mposhtë kancerin e mushkërrive i cili i është diagnostikuar muajin e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Cruyff filloi të shkojë në terapinë e cila për fillim parashikon marrjen e kemoterapisë.
"Jam plotësisht i sigurtë se gjithçka do të dalë mirë. Ndihem mirë dhe pas kemoterapive të para. Nuk kam absolutisht asnjë problem. Mendimi im është i tillë që kemoterapinë ta shikoj si një mik, sepse ajo do ta vrasë kancerin", ka thënë Cruyff për mediat spanjolle.
Cruyff për shumë vite ishte duhanpirës i pasionuar, por pas dy operacioneve të zemrës, kur pati operacion kirurgjik të bypass-it, vendosi ta lërë duhanin. Tani në vend të cigareve pasionin për duhanpirje e shuan me lëpiza.
"Futbolli më dha gjithçka në jetë, ndërsa pirja e duhanit m'i mori të gjitha", ka thënë Cruyff.
Holandezin, shumë e quajnë një nga futbollistët më të mirë në botë të të gjitha kohërave. Gjatë karrierës së pasur me kombëtarën e Holandës ka arritur deri në finalen e Kampionatit Botëror 1974, por në finale u mposht nga Gjermania Perëndimore.
Ndër të tjera, me Ajax-in ishte tre herë kampion i Evropës dhe një herë fitues i Kupës Interkontinentale. Si trajner ka dy Kupa të kupave, një me Ajax-in dhe një me Barcelonën. Me gjigantin katalunjas në vitin 1992 ka fituar titullin e parë të kampionit të Evropës në histori të klubit.