Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
21 Maj 2021•Përditësim: 22 Maj 2021
Turqia ka përshëndetur armëpushimin e ri midis grupit të rezistencës palestineze Hamas dhe Izraelit, duke theksuar se shpreson që kjo pauzë të jetë e përhershme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke theksuar shpërthimin e përplasjeve si rezultat i "veprimeve të paligjshme të Izraelit dhe provokimeve serioze kundër palestinezëve", Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë tha se përshëndet armëpushimin e njoftuar mbrëmë vonë, si dhe kërkoi që ky të jetë një armëpushim i përhershëm.
Sipas ministrisë turke, qëllimi kryesor duhet të jetë gjetja e zgjidhjes së bazuar në zgjidhje me dy shtete dhe jo vetëm me një armëpushim. Ajo po ashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe komunitetit ndërkombëtar të veprojnë për "t'i dhënë fund plotësisht" shtypjes izraelite.
"Në mënyrë që të shpërndahet ndihma urgjente humanitare e nevojshme në Gaza, me rëndësi është të garantohet hyrja e pandërprerë në rajon", theksoi ministria.
Më tej, po ashtu thuhet se Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi në skenën ndërkombëtare për krimet e bëra dhe duhet të heq bllokadën çnjerëzore të vendosur ndaj Gazës, në mënyrë që të parandalojë tragjedinë dhe hidhërimin e mëtejshëm në Palestinë.
"E vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje të përhershme, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për çështjen e Palestinës është përmes dhënies fund të pushtimit izraelit", tha ministria.
Turqia më tej shprehu mbështetje dhe solidaritet me Palestinën, si dhe me popullin palestinez në "kauzën e tyre të drejtë".
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm hyri në fuqi një armëpushim midis Izraelit dhe Hamas-it.
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti vjen pas 11 ditëve të sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës.
Sipas të dhënave të autoriteteve palestineze, si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës humbën jetën 243 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra.