Esra Tekin
15 prill 2024•Përditësim: 16 prill 2024
Një tubim pro Palestinës u mbajt në Meksikë, ku morën pjesë qindra njerëz të cilët shprehën mbështetje për Palestinën dhe kundërshtuan sulmet e Izraelit në Gaza, raporton Anadolu.
Në kryeqytetin Meksiko, qindra protestues u mblodhën të dielën nën banderolën me mbishkrimin "Një dritë për Palestinën", duke valëvitur flamuj dhe pankarta në mbështetje të Palestinës.
Turma, duke mbajtur kukulla simbolike me qefin të bardhë, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe për t'u dhënë fund sulmeve të Izraelit.
Protestuesit tërhoqën vëmendjen për gratë dhe fëmijët e vrarë në bombardimet e Izraelit dhe bënë thirrje për një Palestinë të lirë.
Një protestuese meksikane tha se nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj dramës që po ndodh në Gaza.
"Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të ngremë zërin dhe të flasim. Jemi mbledhur për të qenë zëri i vëllezërve dhe motrave tona palestineze", tha protestuesja për Anadolu.