Sibel Vezaj
23 Tetor 2016•Përditësim: 24 Tetor 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në seminarin e 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po i zhvillon punimet në Prishtinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca bëhet e ditur se gjatë këtij seminari, Thaçi ka thënë se Kosova është eksportues i paqes dhe dialogut. Duke theksuar se para 17 vitesh.
Kosova ishte një vend i sapo dalur nga lufta dhe nga përpjekja për gjenocid presidenti Thaçi tha se “Në ato ditë të rënda ishte bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht NATO, që u vunë në krye të rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Kosovë”.
Presidenti i Kosovës gjithashtu foli për çështjen e refugjatëve, si një prej sfidave të mëdha me të cilat po përballet sot Evropa. Ai theksoi se refugjatët nuk dëshirojnë asgjë më shumë se sa të kthehen në shtëpitë e tyre, të kenë paqe e stabilitet, duke vënë në dukje se ata do t'i ndërtojnë përsëri shtëpitë e shkatërruara dhe shtetin e shkatërruar, ashtu siç kanë bërë kosovarët.
Ai foli edhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, duke theksuar se kjo marrëvshje erdhi si rezultat i reformave të shpejta dhe të suksesshme në instalimin e rendit dhe ligjit dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Ndërkaq, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi tha se tanimë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon, por janë shembull i fuqisë së dialogut.
“Jemi të gatshëm për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe të pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim, që të vëmë në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë”, tha ai.
Duke folur për multietnicitetin në Kosovë, presidenti Thaçi vuri në dukje se kjo vërehet edhe inë institucionet e Kosovës, dhe shtoi se madje edhe ata që dikur qëndronin në barrikada në pjesën veriore të Kosovës dhe sulmonin trupat paqeruajtëse të KFOR-it dhe NATO-s, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, në Parlament, në Qeveri e në qeverisje lokale.
Presidenti njoftoi edhe për punën në themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe tha se kjo do të ishte një hap i madh për t’u bërë anëtarë të NATO-s dhe të BE-së.
“Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Armatës së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përvoja që kemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, që e kemi tani, na bën të jemi optimistë për këtë ambicie”, tha ai.
Së fundi Thaçi vlerësoi që kriza financiare, vala e refugjatëve, dhe Brexit janë tema që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor dhe shtoi se vonesat e BE-së dhe NATO-s në integrimin e Ballkanit Perëndimor krijonë hapësirë për ideologji të rrezikshme.
Kurse, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe të Demarkacionit me Malin e Zi, Thaçi theksoi se puk pajtohet me këtë kusht, sepse edhe vendet e BE-së, ende nuk e kanë të rregulluar çështjen e kufijve.
“Çështja e demarkacionit nuk është çështje tenderësh mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe unë besoj që ajo marrëveshje është e drejtë, e saktë dhe është në interes të dy vendeve”, tha Thaçi.
Seminari 93-të "Rose-Rothe" e organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe me përkrahjen e Qeverisë Zvicerane, për herë të parë po mbahet në Kosovë. Në të po marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, rreth 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.