Bekim Buci
16 Janar 2016•Përditësim: 17 Janar 2016
SHKUP (AA) - Sot ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Nebojsha Stefanoviç bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Oliver Spasovski dhe bashkëpunëtorëve të tyre më të afërt realizuan një takim pune në Qendrën pranuese transitore "Vinojug" në Gjevgjeli, ku momentalisht ndodhen zyrtarët e policisë të MPB-së së Serbisë, njofton MPB-ja e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët e policisë nga Serbia bashkë me kolegët e tyre nga Maqedonia patrullojnë dhe kryejnë mbikëqyrje të përforcuar në linjën kufitare me Greqinë dhe marrin pjesë në obligimet e përditshme dhe aktivitetet në qendrën transitore në Gjevgjeli rreth regjistrimit të migrantëve dhe angazhimeve të tjera lidhur me krizën e migrantëve.
Në takimin e punës që të dy delegacionet konstatuan se bashkëpunimi i deritanishëm i suksesshëm do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me marrjen e masave konkrete dhe aktivitete që dalin nga diskutimi i punës.
Që të dy ministrat e Punëve të Brendshme, Stefanoviç dhe Spasovski u dakorduan edhe rreth këmbimit të informacioneve nga shërbimet që e mbulojnë problematikën e luftës kundër terrorizmit dhe kërcënimeve terroriste.