Malik Hasa
04 prill 2016•Përditësim: 05 prill 2016
TIRANË (AA) - Me rastin e 7-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë është organizuar një ceremoni me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo ceremoni është hapur me një fjalim të kryetarit të bashkisë Tiranës, Erion Veliaj, i cili anëtarësimin e vendit në NATO e ka konsideruar si një ngjarje të madhe.
Në fjalën e tij ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh se ndihet krenar që, flamuri shqiptar valëvitet në selinë e NATO-s prej 7 vjetësh dhe sipas tij anëtarësimi në Aleancë e ka kthyer Shqipërinë në një vend të sigurt në rajon.
Ndërsa ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli ka theksuar se, “sot po festojnë një nga arritjet më të mëdha për sigurinë e vendit”. “Gjatë këtyre viteve së bashku me 27 anëtarët e tjerë kemi adresuar shumë kërcënime për sigurinë tonë të përbashkët. Ushtarët shqiptarë kanë dhënë kontributin e tyre në Afganistan e Irak. Tashmë, misionet paqeruajtëse janë kthyer në traditë të trupave ushtarake shqiptare. Jemi në gjendje të tregojmë vlerat më të mira të një force të armatosur”, u shpreh Kodheli.
Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.