Fatjon Cuka
03 Tetor 2016•Përditësim: 04 Tetor 2016
TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pritën sot në takime të ndara Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, fokusi i bisedimeve mes Ramës dhe Thaçit ka qenë zgjerimi i bashkëpunimit strategjik Shqipëri-Kosovë në fusha me interes të përbashkët, rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, duke u bërë një shembull për rajonin, si dhe ecuria e axhendës së përbashkët mes dy qeverive.
Kryeministri Rama dhe Presidenti Thaçi, theksuan angazhimin dhe përkushtimin e ndërsjellë të dy qeverive për të konsoliduar më tej këtë bashkëpunim, përmes projekteve të përbashkëta në fusha si infrastrukturë, arsim, dogana, kulturë, etj.
Në njoftim thuhet se Presidenti Thaçi e falënderoi Kryeministrin Rama për kontributin që qeveria shqiptare ka dhënë dhe vijon të japë në mbështetje të proceseve integruese të Kosovës, si dhe të anëtarësimit të saj në organizmat ndërkombëtare.
Gjithashtu bëhet e ditur se Thaçi ka theksuar se partneriteti strategjik mes dy vendeve rriti shkëmbimet tregtare në shifrën e 200 milionë eurove. Presidenti i Kosovës ka shtuar se rëndësi të veçantë ka edhe projekti infrastrukturor Durrës-Prishtinë-Nish dhe sigurimi i përkrahjes për nismat e bashkëpunimit rajonal. Në takim është biseduar ndër të tjera edhe për zhvillimet në rajon.

Ndërkohë edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shoqërohet në vizitën e tij nga ministri Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
Në njoftimin zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, bëhet e ditur se Meta theksoi se bashkëpunimi ndërparlamentar është intensifikuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe rikonfirmoi se diplomacia parlamentare shqiptare mbetet në shërbim të shtimit të njohjeve dhe afirmimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës.
"Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes dy qeverive respektive dhe u konfirmua mbështetja e Shqipërisë në forcimin e perspektivës euro-atlantike dhe forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, në interes të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin tonë", thuhet në njoftim zyrtar të Kuvendit.
Në njoftim thuhet se Thaçi theksoi se intensifikimi i bashkëpunimit në fushat e agro-përpunimit, bujqësisë dhe infrastrukturës do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe turistike mes dy vendeve.
Në përfundim të takimit Meta dhe Thaçi diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen e përbashkët se si Shqipëria ashtu edhe Kosova mbështesin heqjen e barrierave dhe forcimin e ndërlidhjes rajonale në interes të sigurisë, paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan.