Presidentja e përkohshme e Venezuelës do të vizitojë SHBA-në
Sipas zyrtarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, ende nuk është caktuar një datë për vizitën e Rodriguezit
Istanbul
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez do të vizitojë SHBA-në duke u bërë udhëheqësja e parë venezueliane në detyrë që e bën këtë në më shumë se një çerek shekulli, tha një zyrtar i lartë amerikan, duke sinjalizuar ndryshim në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Karakasit, transmeton Anadolu.
Sipas zyrtarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, ende nuk është caktuar një datë për vizitën e Rodriguezit.
Rodriguez u betua si presidente e përkohshme pas një sulmi ushtarak amerikan më 3 janar që çoi në kapjen e udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro dhe gruas së tij, Cilia Flores, pas muajsh të tensioneve në rritje për shkak të trafikut të dyshuar të drogës.
Rodriguez tha të mërkurën se po i afrohej dialogut me SHBA-në "pa frikë", duke theksuar diplomacinë si rrugën e preferuar për të adresuar mosmarrëveshjet e gjata.
"Ne jemi në një proces dialogu pune me SHBA-në, pa asnjë frikë, për t'u përballur me dallimet dhe vështirësitë tona dhe për t'i adresuar ato përmes diplomacisë", tha Rodriguez e cila më parë ushtronte detyrën si zëvendëspresidente dhe ministre e naftës.
Vizita e planifikuar sinjalizon kthesë të mundshme në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Venezuelës pas viteve të armiqësisë dhe sanksioneve. Pavarësisht hapjes diplomatike, Rodriguez mbetet nën sanksionet e SHBA-së, përfshirë një ngrirje të aseteve.
Vizita e fundit e një presidenti në detyrë të Venezuelës në SHBA u zhvillua në vitin 1989, kur në detyrë ishte presidenti i atëhershëm Carlos Andres Perez.
Më parë, Rodriguez iu drejtua ligjvënësve mbi mundësinë e udhëtimit në Washington, duke thënë se nëse do të kërkohej, ajo do të përfaqësonte popullin venezuelian "duke qëndruar me kokëfortësi" dhe me dinjitet sovran.
