Figen Shaban
24 Korrik 2017•Përditësim: 25 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur mbledhjen e parë të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës më 3 gusht 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi Presidenti Thaçi ka udhëzuar kryetarin dhe kryesinë e Legjislaturës së Pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të përgatisin propozimin e rendit të ditës", thuhet në një njoftim nga Zyra e Presidentit.
Këtë vendim, i cili ka hyrë sot në fuqi, presidenti Thaçi e ka marrë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe duke marrë parasysh vendimin e datës 8 korrik 2017, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 11 qershorit 2017.
Presidenti Hashim Thaçi, sot mbajti një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare.
Në takim nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lista Serbe.
Ai duke folur për përshtypjet e dala nga zgjedhjet e fundit në Kosovë tha se “fryma, fjalori i matur bashkëpunues dhe gjithpërfshirës duhet të zgjasë edhe në këtë kohë por edhe pas themelimit të institucioneve”.
“Ftoj partitë politike që të koordinohen me deputetët e tyre që të jenë në dispozicion për mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit të Kosovës në të cilin do të verifikohen mandatet e deputetëve dhe do të zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit që t'i hapim rrugë pastaj formimit të qeverisë së Kosovës”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Ai më tej theksoi se qeveria e cila do të formohet do të jetë qeveri e cila shfaqë stabilitet, do të jetë po ashtu multietnike dhe e orientimit euroatlantik, që do të angazhohet të realizojë sa më shpejtë aspiratat e qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE.
Kujtojmë se më 8 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit, sipas së cilës koalicioni PAN ka fituar 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR 25,53 për qind të votave (29 deputetë).
Kuvendi i Kosovës, i përbërë nga 120 deputetë zgjidhet me mandat katërvjeçar duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.