Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend tre ligje të rëndësishme të miratuara nga maxhoranca në seancën e datës 31 korrik të këtij viti. Kështu kreu i shtetit ka dekretuar kthimin e ligjit nr 100/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, ligjit nr. 101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar” dhe ligjit nr 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Presidenti Nishani i ka firmosur sot të tre dekret që kthejnë për rishqyrtim në Kuvend tre ligjet, ky dy prej tyre kërkojnë një shumicë të cilësuar për tu miratuar, ai i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Në lidhje më ligjin për Policinë e Shtetit, Presidenti Nishani në një ndër arsyet e kthimit të ligjit për rishqyrtim përmend ristrukturimin e Gardës. “Vërej dhe konstatoj gjithashtu se ligji i ri kërkon të kalojë në mënyrë të pakuptimtë, në përgjegjësinë e Policisë së Shtetit ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, sa kohë që këtë mision e ka Garda e Republikës, një institucion i konsoliduar në këtë fushë, me eksperiencë të gjatë dhe histori mbi 80 vjeçare”, thuhet në argumentin e paraqitur nga Presidenti Nishani. Gjithashtu në argumentet e Presidentit për këtë ligj kundërshtohet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ku sipas Nishanit krijohen paralelizma me institucione të tjera që janë tashmë të rregulluara me ligj.
Ndërsa në lidhje me arsyet e kthimit të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, kreu i shtetit argumenton se ndryshimet ligjore të miratuara nga maxhoanca tejkalojnë parashikimet kushtetuese duke cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe parimin e hierarkisë së normave. Ndërkohë për ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, sipas Presidentit Bujar Nishani, ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, janë në kundërshtim me nenet 7 dhe 145 të Kushtetutës, me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe shkelin parimin kushtetues të shtetit të së drejtës.