Politikë

Presidenti indonezian fton Zelenskyy-n në samitin e G20-tës

“I bëra një ftesë presidentit Zelenskyy për të marrë pjesë në Samitin e G20-tës në nëntor të këtij viti në Bali”, tha Widodo teksa udhëtonte për në Moskë për të takuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, si pjesë e “turit të tij të paqes”

Riyaz Khaliq Khaliq  | 30.06.2022 - Përdıtësım : 30.06.2022
Presidenti indonezian fton Zelenskyy-n në samitin e G20-tës

Istanbul

Presidenti indonezian, Joko Widodo, ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në samitin e ardhshëm të Grupit 20 në Bali, transmeton Anadolu Agency (AA).

“I bëra një ftesë presidentit Zelenskyy për të marrë pjesë në Samitin e G20-tës në nëntor të këtij viti në Bali”, tha Widodo teksa udhëtonte sot për në Moskë për të takuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, si pjesë e “turit të tij të paqes”.

Dje, ai me gruan e tij mbërriti në Kiev ku u takua me Zelenskyy.

Indonezia është kryesuesi aktual i G20-tës, i cili përbëhet nga ekonomitë më të mëdha në botë, duke përfshirë Rusinë, vendi më i goditur nga sanksionet në botë për luftën e saj kundër Ukrainës që nga 24 shkurti.

Widodo tha se udhëtimi i tij në vendin e goditur nga lufta ishte "manifestim i shqetësimit të popullit indonezian për situatën në Ukrainë".

“Fryma e paqes nuk zbehet kurrë. Unë ofrova të përcjell mesazh nga presidenti Zelenskyy për presidentin Putin”, tha Widodo.

Përpara udhëtimit të tij, presidenti indonezian kishte thënë se misioni është të ftojë presidentët Zelenskyy dhe Putinin “të japin hapësirë për dialog për të ndërtuar paqen”.

"Ne duhet të ndalojmë luftën dhe të rivendosim zinxhirët e furnizimit me ushqim", tha presidenti.

Ai tha se Ukraina është "e rëndësishme për zinxhirët e furnizimit me ushqim në botë.

“Është e rëndësishme që të gjitha palët të ofrojnë garanci sigurie për eksportin e qetë të ushqimit ukrainas, përfshirë edhe përmes porteve detare”, shkroi presidenti indonezian në twitter.

Ky vit shënon edhe 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Indonezisë dhe Ukrainës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.