Bekim Laci
21 Mars 2016•Përditësim: 22 Mars 2016
HAVANA (AA) - Presidenti amerikan Barack Obama pas arritjes në Kubë deklaroi se kjo është një vizitë dhe mundësi historike, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti amerikan gjatë vizitës që i bëri Ambasadës amerikane në Havanë lavdëroi personelin duke shtuar se ata për çdo ditë e më tepër afrojnë SHBA-të dhe Kubën.
"Kjo është një vizitë dhe mundësi historike. Është bukur të jesh këtu”, tha Obama gjatë adresimit para personelit diplomatik në Ambasadën amerikane e cila u rihap në gusht të vitit të kaluar.

"Presidenti Koolidge në vitin 1928 erdhi këtu me anije luftarake për çka i janë nevojitur tre ditë. Mua më janë nevojitur vetëm tre orë”, tha Obama i cili njëherësh është preidenti i parë që viziton Havanën zyrtare në 88 vitet e fundit.
Pas kësaj, Obama bashkë me gruan e tij Michelle dhe dy vajzat Sasha dhe Malia shëtiti pjesën e vjetër të Havanës, ndërkohë që vizita e tij paraqet një kapitull të ri në marrëdheniet mes të dy vendeve pas ftohjes shumë dekadashe të raporteve.
Presidenti amerikan sot do të zhvillojë një takim me homologun e tij kubanez Raul Castro dhe do të marrë pjesë në eventin e afaristëve amerikanë dhe kubanezë.