Politikë

Kina nis stërvitje të re ushtarake rreth Tajvanit

Një delegacion i ligjvënësve amerikanë mbërriti të dielën për vizitën e tyre të paparalajmëruar në Tajvan

Riyaz Khaliq Khaliq  | 15.08.2022 - Përdıtësım : 16.08.2022
Kina nis stërvitje të re ushtarake rreth Tajvanit

Istanbul

Ushtria kineze nisi stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit pasi një delegacion ligjvënësish amerikanë mbërriti në ishullin e vetëqeverisur për një vizitë të paparalajmëruar, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ky është një akt parandalimi kundër SHBA-së dhe Tajvanit, që po sabotojnë stabilitetin në ngushticë", citoi e përditshmja kineze "Global Times" kolonelin e lartë Shi Yi.

Wu Qian, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, tha se ushtria do të "vazhdojë të trajnojë ushtarët dhe të përgatitet për luftë" për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.

"... do të shtypim me vendosmëri çdo formë të përpjekjeve të 'pavarësisë së Tajvanit' nga secesionistët ose ndërhyrjet e huaja", tha Wu, duke shtuar se udhëtimi i ligjvënësve amerikanë në Tajvan shkel qartë parimin "Një Kinë".

Një delegacion i përfaqësuesve amerikanë mbërriti të dielën mbrëma për një vizitë dyditore në Tajvan, e cila ka të ngjarë të shkaktojë tensione shtesë me Kinën.

Delegacioni drejtohet nga senatori Ed Markey dhe përfshin katër anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Të hënën, ata u takuan me presidenten tajvaneze, Tsai Ing-wen, ku diskutuan bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zinxhirëve të furnizimit. Ata u takuan gjithashtu me Joseph Wu, ministrin e Jashtëm të Tajvanit.

Pekini, i cili e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur, nisi stërvitje të mëdha ushtarake rreth ishullit të vetëqeverisur pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi Taipein në fillim të këtij muaji.

Kina mori vendimin për të sanksionuar Pelosin dhe anëtarët e familjes së saj. Tetë kundërmasa të shpallura nga Pekini përfshijnë anulimin e telefonatave midis zyrtarëve ushtarakë amerikanë dhe kinezë, takimin e punës midis departamenteve të mbrojtjes kineze dhe amerikane dhe pezullimin e bashkëpunimit Kinë-SHBA për migracionin e paligjshëm, kontrollin e drogës dhe ndryshimet klimatike.

Pekini ka sanksionuar Agne Vaiciukeviciute, zëvendësministren e Transportit dhe Komunikacionit të Lituanisë, për udhëtimin e saj provokues kohët e fundit në Tajvan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın