Franca mbështet unitetin e Sirisë dhe marrëveshjen e integrimit me SDF-në
Franca riafirmoi mbështetjen e saj për unitetin territorial dhe tranzicionin politik të Sirisë pas një marrëveshjeje integrimi të arritur midis presidentit sirian dhe udhëheqësit të SDF-së
Stamboll
Franca riafirmoi sot mbështetjen e saj për unitetin territorial dhe tranzicionin politik të Sirisë pas një marrëveshjeje integrimi të arritur midis presidentit sirian Ahmad al-Sharaa dhe udhëheqësit të Forcave Demokratike Siriane (SDF), Mazloum Abdi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme tha se "mbetet besnike ndaj aleatëve dhe qëndrimeve të saj", duke theksuar mbështetjen e saj të fortë për unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.
Franca gjithashtu përshëndeti marrëveshjen e arritur më 18 janar, duke u bërë thirrje të gjitha palëve ta respektojnë atë. "Marrëveshja duhet të lejojë përparimin drejt një momenti vendimtar për unitetin e Sirisë së re: integrimin e Forcave Demokratike Siriane", tha ministria.
"Franca mbetet plotësisht e përkushtuar, siç ka qenë gjithmonë, për të mbështetur këtë proces dhe kështu për të punuar drejt suksesit të tranzicionit drejt një Sirie të bashkuar dhe të qëndrueshme, të pasuruar nga diversiteti i të gjitha pjesëve të saj përbërëse", thekson deklarata.
Qeveria siriane nisi operacion ushtarak javën e kaluar, duke rimarrë zona në Sirinë lindore dhe verilindore pas shkeljeve të përsëritura nga SDF (Forcat Demokratike Siriane) të marrëveshjeve të mëparshme.
Presidenti sirian Al-Sharaa njoftoi të dielën një marrëveshje gjithëpërfshirëse armëpushimi dhe integrimi me SDF-në, me të gjitha formacionet ushtarake të grupit që do të tërhiqen në lindje të lumit Eufrat.
