Politikë

"Fitorja elektorale e presidentit bolivian është legjitime"

Fitorja e Arce shënoi kthimin në pushtet të Partisë Lëvizja për Socializmin, partia e ish-presidentit Evo Morales një vit pasi Morales dha dorëheqjen pas presionit ushtarak

Beyza Binnur Dönmez  | 22.10.2020 - Përdıtësım : 22.10.2020
"Fitorja elektorale e presidentit bolivian është legjitime"

Ankara

Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) e ka njohur si "legjitime" fitoren e presidentit të majtë Luis Arce në zgjedhjet e fundit në Bolivi, raporton Anadolu Agency (AA).

Fitorja e Arce shënoi kthimin në pushtet të Partisë Lëvizja për Socializmin, partia e ish-presidentit Evo Morales një vit pasi Morales dha dorëheqjen pas presionit ushtarak.

"Njerëzit votuan lirshëm dhe rezultati ishte i qartë dhe mbizotërues, i cili i jep legjitimitet të madh qeverisë së ardhshme, institucioneve boliviane dhe procesit zgjedhor", tha kreu i misionit vëzhgues në OAS, Manuel Gonzalez, në një raport paraprak të organizatës.

Me më shumë se 90 për qind të votave të numëruara, Arce ka siguruar 54 për qind të votave, shumë më shumë sesa duhej për të kërkuar fitoren në raundin e parë.

Sipas numërimit zyrtar, ish-presidenti Carlos Mesa ka siguruar 29 për qind, ndërsa Luis Fernando Camacho i krahut të djathtë mori 14 për qind të votave.

"Falë raportit të auditimit të bërë pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, sot vendi ka një autoritet të pavarur zgjedhor dhe ka një garë më të drejtë dhe transparente", shtoi Gonzalez.

Ai po i referohej një raporti të OAS të vitit 2019 në të cilin organizata denoncoi "manipulimin e votave" pasi rezultatet e votimit treguan Morales si fitues në raundin e parë për një mandat të katërt radhazi.

Raporti çoi në trazira politike në vendin e Amerikës Latine dhe dorëheqjen e Morales në javët në vijim. Ai u transferua në Meksikë, ku iu ofrua azil politik dhe më pas iu dha azil në Argjentinë.

Ndërkohë, senatorja konservatore e krahut të djathtë Jeanine Anez e shpalli veten presidente të përkohshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın