Fatjon Cuka,Malik Hasa
17 dhjetor 2015•Përditësim: 18 dhjetor 2015
TIRANË (AA) – Ka filluar protesta e paralajmëruar e opozitës shqiptare përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Qytetarët e thirrur nga Partia Demokratike në këtë protestë kanë mbushur rrugët përpara selisë së Parlamentit, ndërkohë që vërehen forca të shumta policore për të mbajtur nën kontroll situatën, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta ka filluar me tensione, pasi një grup protestuesish kanë qëlluar me miell dhe vezë në drejtim të policisë. Kjo është protesta e dytë që zhvillohet në një kohë të shkurtër nga ajo e mbajtur më 8 dhjetor 2015 para selisë së Qeverisë, në ditën Kombëtare të Rinisë. Me anë të protestave opozita ka bërë të ditur se kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Deputetët opozitarë kanë deklaruar se si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike të qytetarëve, është e nevojshme të mbahen zgjedhjet e reja dhe të formohet një qeveri teknike.
Lidhur me këtë protestë, disa nga ambasadat në Tirana, si ajo e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e Francës kanë paralajmëruar qytetarët e vendeve të tyre që jetojnë në Tiranë të shmangin lëvizjet në zonën ku mbahet protesta e opozitës.
Janë rreth 800 forca policore që janë angazhuar gjatë ditës së sotme për tu kujdesur për ruajtjen e rendit dhe shmangien e incidenteve.
Ndërkohë sot do mbahet edhe seanca plenare e Kuvendit ku është parashikuar diskutimi mes deputete për projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2016.