Aslı Aral,İnci Gündağ
07 Dhjetor 2015•Përditësim: 07 Dhjetor 2015
LONDËR (AA) - Qeveria britanike krahas vendimit të marrë javën e kaluar për nisjen e operacioneve ajrore kundër objektivave të DAESH-it në Siri, gjithashtu ka hequr dorë që të emërojë organizatën terroriste si "Shteti Islamik" apo "ISIL", raporton Anadolu Agency (AA).
Deputeti i Partisë Konservatore, Rehman Chishti, i cili është aktiv në vendimmarrjet e qeverisë dhe i cili prej muajsh kishte ndërmarrë fushata që në vend të fjalës ISIL të përdoret fjala DAESH tha se "qeveria ka dëgjuar thirrjet tona dhe i është bashkuar aleatëve ndërkombëtarë si Turqia".
Kryeministri britanik, David Cameron, në një fjalim të mbajtur në Dhomën e Komuneve të Parlamentit Britanik para miratimit të rezolutës e cila lejonte operacionet ajrore në Siri kishte pohuar se "Duke iu bashkuar Francës, Ligës Arabe dhe komunitetit ndërkombëtarë mendoj se ka ardhur koha që në vend të ISIL të përdorim fjalën DAESH. Sepse ky sekt vrastar e djallëzor nuk është as përfaqësues i vërtetë i Islamit edhe as shtet".
Chishti, në një deklaratë për AA-në u shpreh se: "Turqia, Australia, Liga Arabe ashtu si dhe shumë vende dhe organizata në botë në vend të fjalës ISIL përdorin fjalën DAESH. Edhe qeveria franceze vitin e kaluar duke pranuar të përdorë fjalën DAESH, kërkoi nga organet mediatike që të përdorin këtë term. Fjala DAESH është emri i grupit në Arabisht dhe nuk përfshin kuptim negativ. Gjithashtu ka kuptimin që nxjerr probleme".