Servet Günerigök
20 Janar 2021•Përditësim: 20 Janar 2021
I nominuari për sekretar të Shtetit në SHBA, Antony Blinken të martën deklaroi se administrata e ardhshme e presidentit të zgjedhur Joe Biden do të mbajë ambasadën amerikane në Kuds të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"A pajtoheni se Kudsi është kryeqyteti i Izraelit dhe a angazhoheni që Shtetet e Bashkuara do të mbajnë ambasadën tonë në Kuds?", pyeti senatori republikan Ted Cruz i Teksasit.
"Po dhe po", tha Blinken në dëshminë në seancën e tij të konfirmimit në Senat.
Presidenti në largim, Donald Trump njoftoi njohjen e SHBA-ve të Kudsit si kryeqytetin e Izraelit në dhjetor të vitit 2017. SHBA zhvendosi ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Kuds në maj të vitit pasues.
Kudsi mbetet në zemër të konfliktit me dekada të gjatë në Lindje, me palestinezët që këmbëngulin se Kudsi Lindor, i pushtuar në mënyrë të paligjshme nga Izraeli që nga viti 1967, duhet të shërbejë si kryeqyteti i një shteti palestinez.
Për një zgjidhje me dy shtete në Palestinë, diplomati i ardhshëm tha se Biden mendon se mënyra më e mirë "për të siguruar të ardhmen e Izraelit si një shtet hebre, demokratik dhe për t'u dhënë palestinezëve një shtet për të cilin ata kanë të drejtë është përmes të ashtuquajturit zgjidhje me dy-shtete".
"Mendoj realisht, është e vështirë të shohësh perspektiva afatshkurtra për të ecur përpara mbi këtë. Ajo që do të ishte e rëndësishme është të sigurohemi që asnjëra palë të mos ndërmarrë hapa që e bëjnë procesin tashmë të vështirë edhe më sfidues", shtoi ai.