Aysu Biçer
14 Dhjetor 2023•Përditësim: 15 Dhjetor 2023
Këshilli Evropian ka hapur rrugën për zgjerimin e bllokut 27-anëtarësh, duke njoftuar fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, transmeton Anadolu.
“Këshilli Evropian ka vendosur të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe i dha statusin e kandidatit Gjeorgjisë”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në platformë sociale X.
“Dhe, BE-ja do të hapë negociatat me Bosnjë e Hercegovinën pasi të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit deh ka ftuar komisionin të raportojë deri në muajin mars për të marrë një vendim të tillë”, shtoi ai.
Michel tha se ishte një “sinjal i qartë shprese për popullin e tyre dhe për kontinentin tonë”.
Ukraina dhe Moldavia fituan statusin e kandidatit në qershor të vitit 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e quajti vendimin një “fitore për Ukrainën” dhe “fitore për të gjithë Evropën”.
“Falënderoj të gjithë ata që punuan që kjo të ndodhë dhe të gjithë ata që ndihmuan. Përgëzoj çdo ukrainas për këtë ditë. Historia është ndërtuar nga ata që nuk lodhen duke luftuar për liri”, tha Zelenskyy.