Bedrudin Brlyavac
21 tetor 2015•Përditësim: 21 tetor 2015
SARAJEVË (AA) - Autoritetet suedeze bëjnë të ditur se rreth 30 mijë fëmijë të pashoqëruar nga prindërit apo kujdestarët do të kërkojnë azil në këtë vend skandinav, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyra për Migrim e Suedisë (Migrationsverket) vlerëson se deri në fund të këtij viti rreth 30 mijë fëmijë refugjatë të pashoqëruar nga prindërit ose kujdestarët do të kërkojnë azil në vend.
Qeveria suedeze kishte parashikuar më parë se kjo shifër do të jetë rreth 12 mijë fëmijë në vitin 2015.
Sipas gazetës suedeze "Expressen", autoritetet e vendit në çdo mënyrë po bëjnë përpjekje për t'iu gjetur hapësirë refugjatëve që vijnë.
Organet kompetente në Suedi javën e kaluar theksuan se në vitin 2015 vendi i tyre ka shënuar një numër rekord të aplikimeve për azil. Gjatë vitit 2015, Suedia ka regjistruar numrin më të madh të kërkesave për azil në historinë e këtij vendi skandinav, i cili është destinacioni i preferuar i atyre që kërkojnë strehim në Evropë.
Agjencia për Migrim e Suedisë (Migrationsverket), tha se deri më tani 86 mijë e 223 emigrantë kanë aplikuar për azil në vend.
"Kjo është më shumë se 84 mijë e 16 njerëz të cilët kishin kërkuar azil në Suedi në vitin 1992", raportojnë mediat suedeze, duke shtuar se "shumica e tyre ishin refugjatë të cilët kishin ardhur nga Ballkani, ku zhvilloheshin luftëra".
Agjencia për Migrim e Suedisë potencoi se në Suedi kanë gjithnjë e më pak hapësirë për pritjen e refugjatëve dhe emigrantëve që vijnë çdo ditë.