Nazmi Abduramani
24 Shkurt 2017•Përditësim: 24 Shkurt 2017
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot ka pritur ministrin britanik për Evropë dhe Amerikë, Alan Duncan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim, siç thuhet në njoftimin e Presidencës, është biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, për zhvillimet në Evropë dhe Bashkimin Evropian, për gjendjen aktuale politike në Republikën e Maqedonisë dhe krizën migratore, si dhe për situatën në rajon.
Në takim u shkëmbyen mendime për krizën politike në Maqedoni dhe mundësitë për tejkalimin e saj. Presidenti Ivanov, siç thuhet në njoftim, shprehu pakënaqësi nga mungesa e dënimit publik të përzierjes në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë nga ana e disa vendeve fqinje.
Në bisedime, presidenti Ivanov riafirmoi qëllimet strategjike të Republikës së Maqedonisë lidhur me integrimet evropiane dhe euroatlantike dhe përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve. Lidhur me NATO-n, presidenti Ivanov shprehu zhgënjim për shkak, sipas tij, të standardeve të dyfishta, mosrespektimin e aktvendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe sundimit të ligjit në rastin me Maqedoninë.
Lidhur me Bashkimin Evropian, presidenti i Maqedonisë bëri thirrje në zhbllokimin e procesit të zgjerimit i cili mobilizon dhe reformon shoqërinë.
Presidenti Ivanov pret mbështetje më të qartë të Mbretërisë së Bashkuar lidhur me realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë. Në njoftim më tej thuhet se “ministri britanik theksoi se Mbretëria e Bashkuar dëshiron Republikë stabile të Maqedonisë, dhe se nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të shtetit. Ai shprehu mirëkuptim për revoltën e arsyeshme të status quo-s në raport me integrimet evropiane dhe euroatlantike dhe theksoi se do ta mbështesin Maqedoninë në këtë plan”.