Fatjon Cuka
30 Mars 2016•Përditësim: 30 Mars 2016
TIRANË (AA) - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani priti sot në një takim komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili gjendet në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga burimet zyrtare të Presidencës së Shqipërisë mësohet se Nishani në takimin pa praninë e mediave, i përcolli komisionerit Hahn solidaritetin e qytetarëve shqiptarë me qytetarët evropianë dhe ata belgë mbi sulmet terroriste që ndodhën në Bruksel.
"Kreu i Shtetit e siguroi komisionerin se populli shqiptar u qëndron përkrah në këto momente të vështira, por edhe mbetet i palëkundur në besimin ndaj lidershipit evropian. Ky besim, theksoi Kreu i Shtetit, buron nga vokacioni i thellë evropian i popullit shqiptar, i cili e ka vendosur integrimin në Bashkimin Evropian si të vetmen alternativë të perspektivës së vet"- thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
Presidenti Nishani vuri në dukje se zbatimi i reformave sipas udhërrëfyesit të përcaktuar nga Komisioni Evropian duhet të jetë prioritet i prioriteteve, përfshirë reformën në drejtësi, por edhe të katër prioriteteve të tjera që përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut si dhe çështjen e pronës.
Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, sipas njoftimit zyrtar mësohet se Nishani evidentoi se mbetet i palëkundur në bindjen dhe mbështetjen e tij për një reformë që zhvillohet në suazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardit evropian.
Gjithashtu Nishani dhe Hahn diskutuan edhe mbi politikën rajonale të Shqipërisë, ku theksohet se bashkëndanë vlerësimin e një kursi konstruktiv dhe kontribuues për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën harmonike në rajon.
Komisioneri i BE-së gjithashtu është takuar edhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha, ndërsa është i pranishëm në tryezën e dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.