Fatjon Cuka
30 Mars 2016•Përditësim: 30 Mars 2016
TIRANË (AA) - Tryeza e dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE po mbahet sot në Tiranë, ku i pranishëm është edhe komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Komisioneri i BE-së bashkëkryeson këtë tryezë, që në fokus ka përparësitë kyçe të reformave në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo tryezë mbahet për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit, mbi përpjekjet e autoriteteve të vendit në rrugën e reformave, si dhe për të nxitur një miratim të shpejtë të reformës në drejtësi.
Pas tryezës komisioneri Hahn dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të mbajnë një konferencë për mediat.
Gjatë ditës së sotme Hahn do të marrë pjesë edhe në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Ai takua fillimisht me presidentin Bujar Nishani, dhe liderin e opozitës Lulzim Basha. Gjithashtu Hahn do të takohet edhe me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
Komisioneri Hahn do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do ët fillojë sot pasdite në Durrës.