Nimis, një mace shtatëvjeçare që jeton në një shtëpi-varkë në Amsterdam, kryeqytetin e Holandës, dhe njihet si “macja police”, ka tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve në rrjetet sociale si dhe të turistëve që vizitojnë vendin.
Me gëzofin e zi dhe jelekun e verdhë të shpëtimit, në të cilin shkruhet “Police”, Nimis ka fituar brenda një kohe të shkurtër statusin e një fenomeni në rrjetet sociale.
Pronarja e saj, Lydia Faber, ia vendosi Nimisit jelekun e shpëtimit për ta mbrojtur nga rreziku i mbytjes. Macja filloi të bëhej e njohur pasi banorët e lagjes nisën ta quanin “policja e lagjes”.
Pasi njëra prej videove të publikuara në rrjetet sociale arriti 4,5 milionë shikime, fama e Nimisit kapërceu kufijtë e lagjes dhe vendit, duke e kthyer atë edhe në një nga atraksionet për turistët që vizitojnë Amsterdamin. Krahas vendeve turistike të qytetit, vizitorët shkojnë edhe për të takuar Nimisin.
Nimisi dhe Boefi, motra e saj dhjetëmuajshe, me sjelljet e tyre të këndshme u sjellin buzëqeshje të gjithëve.
Ndërkohë, është planifikuar botimi i një libri për fëmijë, ku do të rrëfehen aventurat e Nimisit në lagje.
- U bë e njohur në rrjetet sociale krejt rastësisht
Lydia Faber, pronarja e Nimisit dhe Boefit, për Anadolu tha se jeton në një shtëpi-varkë në Amsterdam dhe se kishte vendosur t’i blinte Nimisit një jelek shpëtimi për shkak të numrit të madh të maceve që kishin humbur jetën nga mbytja në qytet.
Ajo tha se pasi zbuloi jelekët e shpëtimit të prodhuar posaçërisht për macet, kishte filluar t’ia vishte Nimisit që kur ishte ende kotele. Faber theksoi se edhe Boefi ka jelekun e saj të shpëtimit dhe se këta jelekë ua kanë shpëtuar jetën maceve të saj shumë herë.
“Meqenëse Nimisi është mace e zezë dhe mban jelek të verdhë shpëtimi, fqinjët tanë filluan ta quanin ‘policja e lagjes’. Një ditë, në një dyqan lodrash, pashë disa stema me mbishkrimin ‘Police’ dhe ia vendosa njërën në jelek. Kështu, papritur, ajo u bë vërtet ‘policja e lagjes’”, tha ajo.
Faber tregoi se Nimisi u bë e njohur në rrjetet sociale krejt rastësisht, duke shpjeguar se kishte filluar të publikonte video të maceve për dy mbesat e saj të vogla, të cilat jetojnë larg.
Duke vënë në dukje se videoja e katërt që publikoi arriti 4,5 milionë shikime, Faber tha: “Papritur, kutia ime e mesazheve u mbush dhe shumë njerëz filluan të më ndiqnin. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte. Doli se llogaria ime ishte e hapur për publikun dhe unë nuk e kisha kuptuar këtë. Kështu filloi gjithçka”.
Ajo tha se me kalimin e kohës, Nimisi fitoi shumë ndjekës dhe se edhe policët e lagjes e vizitonin macen dhe luanin me të, duke shtuar se të gjithë e duan shumë.
- “Për mua, gjëja më e bukur është që macet u japin ngushëllim njerëzve”
Faber tha se disa njerëz besojnë se Nimisi punon vërtet në polici, ndaj theksoi: “Duhet ta sqarojmë këtë keqkuptim. Nimisi në të vërtetë nuk punon në polici”.
Duke treguar se vizitorë nga shumë vende të botës shkojnë për t’i takuar macet Nimis dhe Boef kur mbërrijnë në Amsterdam, Faber theksoi se për të ka rëndësi të madhe që macet t’u sjellin gëzim njerëzve.
Ajo tha se në botë ka shumë dhimbje dhe trishtim, duke shtuar:
“Për mua, gjëja më e bukur është që macet u japin ngushëllim njerëzve, sepse në botë tashmë ka shumë dhimbje. Këto mace u sjellin një buzëqeshje njerëzve. Këtu vijnë shumë njerëz. Disa prej tyre vijnë duke qarë dhe duan të më përqafojnë. Më falënderojnë që e hapa këtë llogari. Thonë se falë maceve ndihen shumë të lumtur dhe se, qoftë edhe për pak kohë, arrijnë të harrojnë dhimbjen dhe trishtimin e tyre. Mendoj se kjo është pjesa më e bukur e gjithë kësaj”.
Faber tha se do të përgatitet një libër për fëmijë që do të trajtojë aventurat e Nimisit, duke shpjeguar se në të do të rrëfehen ngjarje argëtuese që macja përjeton me fqinjët dhe banorët e lagjes.
- “Mendoj se është vërtet shumë e lezetshme”
Naomi Nijpels, 12-vjeçe, e cila u bë adhuruese e Nimisit pasi e pa atë në lajmet për fëmijë të transmetuara nga transmetuesi publik NOS, tha se e konsideron macen shumë të lezetshme.
Nijpels, e cila kishte udhëtuar nga qyteti Etten-Leur, 130 kilometra larg Amsterdamit, për të parë “macen police”, tha se Nimisi i gëzon njerëzit.
“Mendoj se është vërtet shumë e lezetshme. Ajo është diçka shumë e bukur dhe argëtuese. I bën njerëzit të lumtur. Për më tepër, meqenëse është mace, mund ta përkëdhelësh”, tha ajo.